Avokati Bardh Koçi akuzohet se ka kërkuar 4 mijë euro nga klientja e tij, duke marrë paraprakisht 1 mijë euro, me premtimin se do të ndikonte te gjyqtari që trajtonte çështjen e saj.
SPAK ka zbardhur akuzat ndaj Koçit, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” dhe përballet me akuzën për “Ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Hetimet tregojnë se në kohën e dyshuar të kryerjes së veprës penale, ai ishte auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe i kërkoi shumën një shtetaseje me inicialet P. M., e cila po gjykohej në Tiranë për “Falsifikim të dokumenteve shëndetësore”.
Njoftimi:
“Shtetasi B. K. me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj”.