Si Balluku po u “vjedh” shqiptarëve qindra milionë për 0 kilovat energji të prodhuar
Një nga aferat më të mëdha dhe më të kushtueshme të qeverisë Rama po zhvillohet para syve tanë. Dy anije lundruese, të quajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, të sjella me procedura të dyshimta dhe me argumente të rreme për një “krizë energjitike” që kurrë nuk erdhi, kanë gllabëruar tashmë 121 milionë dollarë nga taksat e shqiptarëve. E gjithë kjo, pa prodhuar asnjë kilovat energji elektrike që prej ardhjes së tyre në Vlorë dy vjet më parë.
Afera ka nisur siç nisin të gjitha aferat e mëdha korruptive të kësaj qeverie – me shpalljen e një emergjence kombëtare të paqenë. Me një deklaratë në 9 tetor 2021, kryeministri Edi Rama njoftoi popullin për një “krizë energjitike” që do të godiste vendin, duke krijuar panik artificial. Ironikisht, kriza energjitike u shpall në prag të stinës kur hidrocentralet shqiptare prodhojnë me kapacitete të larta, e për më tepër, asnjë vend në rajon nuk u godit nga ndonjë krizë e tillë.
Pas krijimit të panikut, skema vazhdoi me shpalljen e emergjencës zyrtare. Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 584, datë 08.10.2021, shpalli “gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike” me efekte deri më 15 prill 2022, duke i hapur rrugë ministres Belinda Balluku dhe KESH-it për të nisur veprimet që do të shkaktonin dëm kolosal në buxhetin e shtetit.
Çuditërisht, ndërsa emergjenca u shpall për gjashtë muaj, VKM-ja që autorizoi marrjen me qira të anijeve TEC parashikonte një kontratë deri në tre vjet. Kjo mospërputhje e qartë midis afatit të emergjencës dhe kohëzgjatjes së kontratës ngre dyshime të forta për motivet e vërteta pas këtij vendimi.
Procedura tenderuese fiktive për një fitues të paracaktuar
Vetëm dy muaj pas shpalljes së emergjencës, më 9 dhjetor 2021, qeveria miratoi VKM-në nr. 757, që autorizonte KESH-in të merrte me qira “asete gjeneruese termike të energjisë”. Menjëherë pas kësaj, KESH publikoi “Thirrjen për shprehje interesi” më 5 janar 2022.
Afati i dorëzimit të ofertave ishte i paqartë dhe kontradiktor. Sipas Buletinit të APP-së, data e dorëzimit ishte 27 janar 2022, ndërsa në faqen zyrtare të KESH-it në anglisht ishte vendosur 14 janar, për t’u shtyrë më pas për 21 janar. Këto mospërputhje të qarta në data tregojnë shkelje flagrante të ligjit 162/2020 “Për Prokurimet Publike”.
Më alarmante, dokumentet e publikuara nga Securities and Exchange Commission në SHBA zbulojnë se kompania “Excelerate Energy, Inc” ishte njoftuar si fituese e tenderit që në janar 2022, duke treguar se gara kishte qenë fiktive dhe fituesi i paracaktuar. Në të njëjtin dokument, kompania amerikane pranon se kishte nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me ExxonMobil dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që nga marsi 2021 – shtatë muaj para shpalljes së emergjencës energjitike nga qeveria.
Në specifikimet teknike të tenderit kërkohej që kompania ofertuese të dorëzonte dokumentacion provues të zotërimit të asetit gjenerues termik. Mirëpo, investigimi i “Plug| tregoi se “Excelerate Global Operations LLC” nuk i zotëronte anijet Tigri 1 dhe Tigri 3 në momentin kur dorëzoi ofertën. Nga raporti zyrtar i kompanisë bangladeshase “Khulna Power Company LTD” konfirmohet se ky aset i është shitur kompanisë Excelerate vetëm në prill 2022, për vlerën 15 milionë USD – pas shpalljes së fituesit dhe pas lidhjes së kontratës me KESH më 4 prill 2022.
Anijet TEC ishin nxjerrë jashtë përdorimit që nga viti 2018 dhe ishin një barrë për kompaninë bangladeshase, e cila do të detyrohej të paguante taksa të larta nëse nuk arrinte t’i eksportonte. Ajo çfarë për bangladeshianët ishte një problem që duhej zgjidhur urgjentisht, për qeverinë shqiptare u kthye në një “zgjidhje emergjence” që do të kushtonte qindra milionë euro.
Kostot marramendëse për asnjë kilovat energji të prodhuar
Pas shpalljes së fituesit, pagesat nisën të rrjedhin nga buxheti i shtetit. Sipas kontratës së qirasë, KESH do të paguante 63 mijë dollarë në ditë për qiranë e anijeve, ndërsa për operimin dhe mirëmbajtjen do të paguante 31,500 dollarë të tjera në ditë. Në total, 94,500 dollarë në ditë ose mbi 34 milionë dollarë në vit – për dy anije që u blenë nga kompania amerikane për vetëm 15 milionë dollarë.
Por kostot nuk përfunduan këtu. Për të mundësuar ankorimin e anijeve, u shpall procedura “Ndërtimi i infrastrukturës së aksesimit dhe ankorimit për operimin e asetit gjenerues termik, në portin e peshkimit Triport-Vlorë”, me vlerë 3 milionë euro. Procedura u zhvillua me vetëm një ofertues – “Salillari shpk”.
Njëmbëdhjetë muaj më vonë, në korrik 2023, KESH shpalli tenderin “Depozitim dhe shkarkim i lëndës djegëse për TEC Lundrues Vlorë”, me vlerë 7.2 milionë euro pa TVSH për 12 muaj, ose 17 milionë euro me TVSH për dy vjet.
Më pas, në korrik 2024, u shpall tenderi për sigurimin e anijeve, i fituar nga “Intersig Vienna Insurance Group” për vlerën 174 milionë lekë pa TVSH, afërsisht 4 milionë euro me TVSH për dy vjet.
Të gjitha këto shpenzime u bënë pa qenë të nevojshme, pasi anijet kurrë nuk prodhuan energji. Madje, edhe nëse do të prodhonin, energjia do të ishte jashtëzakonisht e shtrenjtë. Sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kostot fikse të gjenerimit për dy vjet do të ishin 202 Euro/MWh, ndërsa kostot totale (duke përfshirë akcizën) do të arrinin në 268.98 Euro/MWh.
Kjo është 160% më e lartë se çmimi mesatar i blerjes së energjisë elektrike në treg të lirë për vitin 2023, i cili sipas ERE-s ishte 110.52 Euro/MWh. Madje, për vitin 2024, çmimi në treg mund të bjerë nën 100 Euro/MWh, dhe për vitin 2025 parashikohet të jetë rreth 95 Euro/MWh.
Lidhjet e errëta me Gardën Revolucionare të Iranit
Skandali merr përmasa edhe më të mëdha kur shikohen lidhjet e errëta me Gardën Revolucionare të Iranit. Në gusht 2024, KESH bëri njoftimin për blerjen e 21,000 ton lëndë djegëse HFO për Termocentralet Lundruese, me vlerë mbi 11 milionë USD.
Anija që transportoi lëndën djegëse, “HOPE A” me flamur të Maltës, mbërriti në Shqipëri më 2 nëntor 2024. Nga deklarata doganore rezulton se eksportuesi ishte kompania “EMAD Energy SA-1207 Geneva (CH)”. Kompania EMAD Energy SA është e regjistruar në Zvicër dhe nuk rezulton të jetë e pajisur me Licensën A sipas ligjit 8450 “Për përpunimin, transportimin, tregtimin e naftës dhe gazit dhe nënprodukteve të tyre”.
As KESH dhe as kompania tregtare nuk kanë licensën e kërkuar ligjërisht. Kjo do të thotë se 21,000 ton naftë kanë hyrë në territorin e Shqipërisë në mënyrë të paligjshme, duke përbërë vepër penale të kontrabandës.
Shqetësuese është lidhja e kompanisë “EMAD Energy SA” me “ASB Group of Companies in Turkey”. Pronari i ASB Group, Sitki Ayan, është dënuar për krime federale në lidhje me terrorizmin, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E-mail-et e siguruara nga “Iran-Leaks” tregojnë se administratori i “EMAD Group SA” komunikonte me menaxherët e grupit turk ASB për të sjellë në Shqipëri rreth 3,400 ton karburant. Po nga këto dokumente zbulohet se grupi turk ASB, në vitin 2020, ka realizuar një operacion shitjeje të naftës iraniane me vlerë 36 milionë dollarë, duke përdorur Shqipërinë si bazë.
Në Shqipëri është regjistruar kompania “MAC General Trading shpk”, përfaqësuesi i së cilës, Murat Halli, komunikonte me përfaqësuesin e ASB Group në Turqi, Kazim Oztaz (i dënuar më vonë nga një gjykatë amerikane për thyerje të embargos së naftës).
Sitki Ayan, pronari i ASB Group, ka ortakëri me të paktën 12 kompani me Gardën Revolucionare të Iranit, e cila kontrollon shitjen e naftës iraniane. Ai është mik i ngushtë i presidentit turk Erdogan dhe nga ata që gëzojnë besimin e tij të plotë.
Aksesi i këtyre kompanive të komprometuara turke në Shqipëri buron nga marrëdhënia e ngushtë e kryeministrit Rama me presidentin Erdogan, një marrëdhënie që, sipas ish-zyrtarit të Pentagonit Michael Rubin, është toleruar nga ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim për shkak të ambicies së saj për t’u bërë ambasadore e SHBA-ve në Turqi.
Ortaku i fshehtë që përfiton 10%
Për të zbatuar kontratën me KESH-in, në qershor 2022 u regjistrua në QKB kompania “Excelerate-Renco FPB”, me ortakë “Excelerate Albania Holding shpk” (90%) dhe “Renco S.p.a.” (10%). Kjo kompani ka rritur kapitalin e saj në mënyrë domethënëse, fillimisht me 4.3 milionë dollarë, dhe më pas me 23.1 milionë dollarë të tjerë.
Më interesante është se “Excelerate Albania Holding” ka si ortak të vetëm kompaninë “Excelerate Energy Limited Partnership”, jo kompaninë që ka lidhur kontratën me KESH, “Excelerate Global Operations LLC”. Ky veprim ngre dyshime të forta për paligjshmëri, pasi këto janë dy entitete të ndryshme ligjore, edhe nëse zotërohen nga i njëjti aksioner.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se “Excelerate Energy Limited Partnership” ka një aksioner të fshehtë me 10% të aksioneve. Kjo do të thotë se 10% e pagesës prej 94,500 dollarë në ditë, ose rreth 7 milionë dollarë në dy vjet, shkojnë te një përfitues i panjohur. Kjo është një çështje serioze që kërkon hetim nga SPAK për të zbuluar se kush është përfituesi fundor i parave të taksapaguesve shqiptarë.
Belinda Balluku propozon të thellojë gropën financiare
Ndërsa “Tigri 1” dhe “Tigri 3” vazhdojnë të thithin miliona euro pa prodhuar energji, ministrja Belinda Balluku propozon një plan edhe më të kushtueshëm – ta transformojë qiranë në blerje të përhershme dhe t’i konvertojë anijet nga përdorimi i naftës në gaz natyror.
Ky propozim është absurd për disa arsye: së pari, kjo tentativë u provua nga pronarët e mëparshëm të anijeve në 2018 dhe dështoi, duke rezultuar në konservimin e anijeve; së dyti, marrja në pronësi e anijeve është në kundërshtim me ligjin e energjisë dhe tejkalon përgjegjësitë e KESH-it dhe Ministrisë; së treti, pretendimi se këto anije mund të jepen me qira në vende të tjera është qesharak, duke pasur parasysh se ishin jashtë përdorimit për vite dhe askush nuk i donte.
Blerja e anijeve, të cilat me teknologjinë e tyre të vjetëruar do të prodhonin energji me kosto rreth 160% më të lartë se tregu, do të ishte një marrëzi financiare dhe një abuzim flagrant me financat publike.
Kostot totale: 121 milionë dollarë për zero kilovat energji
Deri më sot, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji. Megjithatë, për akomodimin e tyre janë shpenzuar 40 milionë dollarë, për qiranë janë paguar 70 milionë dollarë, dhe vetëm për një muaj operimi potencial janë blerë 11 milionë dollarë karburant.
Kjo jep një total prej 121 milionë dollarë të hedhur në erë, prej të cilave 10% kanë shkuar në xhepat e një pronari të paidentifikuar. Shuma fantastike prej 121 milionë dollarësh është përdorur për të financuar një aferë që nuk i ka sjellë asnjë përfitim shqiptarëve, përveçse ka pasuruar disa individë dhe ka financuar indirekt rrjete kompanish të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit.
Afera e “Tigrave të Belës” është një nga shkeljet më të rënda që kjo qeveri i ka bërë financave publike dhe sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Ajo përbën shkelje të shumta ligjore, përfshirë:
- Shpallje të rreme të gjendjes së emergjencës për të justifikuar prokurime të drejtpërdrejta
- Shkelje flagrante të procedurave tenderuese
- Favorizim të kompanive të caktuara
- Kontrabandë të karburanteve
- Mosrespektim të ligjit për licencat e importit të hidrokarbureve
- Dëmtim të rëndë të financave publike
- Marrëdhënie me kompani të sanksionuara ndërkombëtarisht
Këto veprime përbëjnë vepra penale si “shpërdorim detyre”, “shkelje e barazisë në tendera”, “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë publik”, “kontrabandë me mallra të tjerë”, dhe potencialisht “financim i terrorizmit” për shkak të lidhjeve me kompani të sanksionuara.
SPAK duhet të nisë menjëherë hetimin e kësaj afere dhe të identifikojë të gjithë përgjegjësit, duke filluar nga ministrja Belinda Balluku dhe drejtuesit e KESH-it, por pa përjashtuar kryeministrin Edi Rama, i cili me firmën e tij ka autorizuar këtë grabitje të parave publike.
Shqiptarët meritojnë të dinë se kush janë përfituesit fundorë të 121 milionë dollarëve që janë paguar për dy anije të vjetra që nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji, dhe kush fshihet pas shoqërisë që zotëron 10% të kompanisë së regjistruar në Shqipëri.
Skandali i “Tigrave të Belës” është radiografia e një qeverie që ka kthyer korrupsionin në sistem dhe të mirat publike në pronë private. Një qeveri që nuk ndalet as para financimit indirekt të regjimeve armiqësore, për sa kohë ka një përqindje për t’u ndarë!
/gazetareforma.com