816 tonë vdekje e ngadaltë presin në Porto Romano, ndërsa 58 tonë të tjera u kapën këtë javë në Itali. Alarmi për shëndetin publik vazhdon, por institucionet shqiptare heshtin me kokëfortësi përballë skandalit më të rëndë mjedisor në vend.
Operacioni “Metal Gate” i Guardia di Finanza në portin e Ankonës konfirmoi atë që ekspertët kanë paralajmëruar prej muajsh: Shqipëria është kthyer në korridor tranziti për trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike.
Inspektorët italianë zbuluan nivele të rrezikshme të zinkut, plumbit dhe bakrit – helme që shkatërrojnë ekosistemet ujore dhe kërcënojnë shëndetin publik për dekada.
Por ndërsa italianët veprojnë, institucionet shqiptare vazhdojnë lojën absurde të hedhjes së përgjegjësive. Pesë muaj pas zbulimit të 816 tonëve të mbetjeve të Kurumit që u kthyen nga Tajlanda, Prokuroria e Durrësit ende “kërkon ekspertë” që të përcaktojnë natyrën e tyre. Një vonesë që nuk shpjegohet me asgjë tjetër përveç interesave të fuqishme ekonomike që qëndrojnë pas këtij trafiku.
Kompania Sokolaj Shpk, me administratore Gjovana Sokolaj, eksportoi mbetjet pa miratimin e vendit pritës, në shkelje flagrante të konventave ndërkombëtare. Pse pas pesë muajsh hetimi, asnjë zyrtar nuk është marrë në përgjegjësi?
Zinxhiri institucional ka dështuar në çdo hallkë. Autoriteti Kombëtar i Burimeve Natyrore pretendon “mungesë kapacitetesh”, ndërsa Ministria e Mjedisit ka zgjedhur rrugën më të lehtë – heshtjen totale. Vetëm Instituti i Gjeologjisë dhe Minierave është shprehur se mund të kryejë një pjesë të analizave, por pa afat të përcaktuar.
Ndërkohë, 816 tonë helm qëndrojnë në Porto Romano, të ruajtura formalisht nga policia, ndërsa kompania transportuese kërkon vazhdimisht kthimin e tyre. Çdo ditë që kalon, rreziku i manipulimit të provave rritet, ashtu siç rritet edhe mundësia që përgjegjësit e vërtetë të shpëtojnë pa u ndëshkuar.
Por heshtja më e rëndë, më e pafalshme, është ajo e SPAK-ut. Një skandal që mbart të gjitha elementët e krimit të organizuar mjedisor, përfshirje të zyrtarëve të lartë dhe dëm të konsiderueshëm ndaj interesit publik, duhet të ishte prioritet absolut për Prokurorinë e Posaçme.
Në vend të kësaj, SPAK ka zgjedhur të injorojë plotësisht një nga kërcënimet më serioze për sigurinë kombëtare dhe shëndetin publik.
Çfarë pret SPAK? Që helmi të depërtojë në ujërat nëntokësore? Që dokumentet të manipulohen? Që përgjegjësit të largojnë pasuritë e tyre jashtë vendit? Apo thjesht që opinioni publik të harrojë, i lodhur nga pritja?
Për pesë muaj, taksat e qytetarëve shqiptarë kanë financuar rojat që ruajnë një rrezik që askush nuk e mat dot ende. Për pesë muaj, kompania përgjegjëse ka vazhduar biznesin si zakonisht. Për pesë muaj, zyrtarët që mundësuan këtë trafik kanë qëndruar në zyrat e tyre, duke vazhduar të marrin vendime.
Shqipëria ka nevojë urgjente për një përgjigje të qartë: kush e lejoi këtë trafik, çfarë përmbajtje kanë këto mbetje, dhe kur do të mbrojnë institucionet shëndetin publik në vend të interesave të bizneseve të dyshimta? Shqiptarët meritojnë institucione që mbrojnë qytetarët, jo trafikantët e vdekjes!
/gazetareforma.com