“Një kapitull i gjatë zvarritjeje,” shkruan Erion Veliaj nga qelia. Nuk kishin kaluar as dy orë nga arrestimi dhe “yjet” e Tiranës nisën garën e solidaritetit në rrjetet sociale. Por prapa kësaj vale mbështetjeje fshihet një histori më e errët – historia e një qyteti ku gjithçka paguhet me paratë e vetë qytetarëve.
Nëse do të ishte film, do ta quanim “Si të blesh një qytet me paratë e tij”. Një histori ku protagonistët janë pseudo-artistët e Tiranës, të cilët për vite me radhë janë ushqyer nga fondet e bashkisë, duke u kthyer në një makineri propagande që aktivizohet sa herë shefi i tyre ka nevojë.
E kemi parë këtë film më parë. Teatri Kombëtar është shembulli më i qartë. Të njëjtët artistë që protestonin kundër shembjes, papritur u zbutën sapo panë kontratat e para nga bashkia. Ndërkohë që godina historike shembej, xhepat e tyre mbusheshin me para publike dhe zëri i dikurshëm i protestës u kthye në duartrokitje për “transformimin” e qytetit.
Në prapaskenë qëndron dosja e eventeve, me protagonist kryesor Fatjon Sallakun, i transferuar strategjikisht prej Erion Veliajt nga Ministria e Rinisë dhe Mirëqenies Sociale në Bashkinë e Tiranës, Sallaku u emërua shef i Eventeve dhe Emergjencave, duke mundësuar vjedhje në shifra marramendëse të parave publike.
Nën drejtimin e tij, ky department u shndërrua në një makineri të vërtetë financiare për blerjen e mbështetjes publike. Pseudo-artistët që fillimisht protestonin, tani gjenin veten në listëpagesa gjithnjë e më të majme të eventeve të bashkisë, duke mundësuar vjedhje në shifra marramendëse të parave publike.
Çdo event, çdo festival, u kthye në një mundësi për të forcuar këtë rrjet dhe për të shpërblyer besnikërinë ndaj kryebashkiakut.
Por skema shkon edhe më thellë. Me po këto taksa të qytetarëve, është ngritur edhe një rrjet i gjerë patronazhistësh – një ushtri të tërë punonjësish që, ndër të tjera, ka si detyrë të dyndet në rrjetet sociale.
Ata duhet të përmbytin mediat online me komente pozitive dhe të fshijnë çdo kritikë ndaj kryebashkiakut. Është një makineri e tërë propagande që punon vetëm për të rregulluar imazhin e një njeriu, e financuar tërësisht nga paratë e shqiptarëve.
Arrestimi i Veliajt i ka futur në panik këta përfitues. Pas statuseve mbështetëse fshihet frika se festa e privilegjeve po mbaron. “E bëre Tiranën kryeqytet europian,” shkruajnë sot ata që për vite kanë marrë pagesa të majme nga bashkia. Por harrojnë të përmendin se ky “transformim” është paguar nga xhepat e qytetarëve që sot mezi mbijetojnë në këtë qytet gjoja europian.
Çdo koment mbështetës që po shohim sot është një faturë e këtij sistemi korruptiv – një dëshmi e gjallë e asaj se si fondet publike janë përdorur jo për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por për të ndërtuar një rrjet besnikësh që do të mbronin kryebashkiakun në ditën e gjykimit.
Tani që perdet kanë rënë dhe kryebashkiaku është në qeli, a do të ketë guxim drejtësia të shkojë deri në fund? SPAK-u ka në duar një histori që shkon shumë më thellë se thjesht Veliaj.
Është historia e një qyteti që u mor peng nga një grup njerëzish që vendosën të pasurohen duke na vjedhur të gjithëve përpara syve, ndërsa na bindnin se po na transformonin.
Dhe ironikisht, po paguajmë ende për këtë “transformim” – me taksat tona, me qiratë tona dhe me jetën tonë të përditshme në një qytet që u kthye në pronë private të një grushti njerëzish.
/gazetareforma.com