Gjatë orëve të vona të natës,policia ka ushtruar kontrolle të imtësishme në lokalet dhe automjetet që qarkullonin në qytet, me qëllim kapjen e personave që mbajnë armë zjarri pa leje dhe atyre që shpërndajnë lëndë narkotike.
Kontrollet kishin gjithashtu në fokus identifikimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se së fundmi është intensifikuar prania e forcave të rendit në Peqin, për të evidentuar dhe ndaluar individët me precedentë penalë.
Në shënjestër të kontrolleve ishin edhe lokalet ku dyshohet se ushtrohet aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit, si dhe ato që frekuentohen nga persona në kërkim ose të përfshirë në veprimtari kriminale.
Gjatë operacionit të zhvilluar natën e së martës, ka pasur kundërshtime nga pronarët e lokaleve dhe qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën e ndërhyrjes së policisë.
Burime nga vendngjarja raportojnë se gjatë kontrolleve ka pasur edhe incidente, përfshirë raste ku policia ka kërkuar marrjen e telefonave personalë të disa qytetarëve, të cilët fillimisht kanë refuzuar, por më pas telefonat janë sekuestruar me forcë.
Për disa orë, kontrollet janë shtrirë jo vetëm në ambiente të mbyllura, por edhe në rrugët kryesore të qytetit dhe në automjetet në lëvizje.
Si rezultat, disa persona janë shoqëruar për verifikim në Komisariatin e Policisë së Peqinit. Pas shoqërimeve, një grup qytetarësh të revoltuar janë mbledhur pranë komisariatit, duke kërkuar shpjegime për atë që e cilësuan si shkelje të të drejtave të tyre gjatë kontrolleve dhe shoqërimeve me forcë.
Policia ka njoftuar se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha akset rrugore, lokalet dhe automjetet, në kuadër të një strategjie të mbështetur nga inteligjenca informative për goditjen e paligjshmërisë.
Objektivi kryesor mbetet arrestimi i personave në kërkim, kapja e atyre që qarkullojnë me armë zjarri dhe atyre të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Megjithatë, ende nuk ka një raport zyrtar mbi rezultatet paraprake të këtij operacioni.