Në dosjen hetimore zbulohet se Ajola Xoxa ka transferuar fonde nga kompania ‘Gogel’, e drejtuar nga vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj, Arbër Veliaj, te kompania e nënës së saj, ‘Ava Studio’.
Faturat prej 15.000 eurosh kaloheshin me përshkrime për shërbime që asnjë nga këto kompani nuk i ofronte.
Po ashtu, në dosje evidentohen lidhjet mes ‘Gogel’ dhe kompanisë së telekomunikacionit One Albania, e cila ka përfituar tendera të shumtë nga Bashkia e Tiranës.
Kujtojmë se sapo i doli emri në SPAK, edhe Arbi Veliaj, ashtu si të gjithë të inkriminuarit me inceneratorët, u arratis gjithashtu drejt Austrisë.
Pjesë nga Dosja hetimore:
101. Megjithatë, nga komunikimet rezulton se shtetësja Ajola Xoxa nuk mjaftohet në marrjen e shumave të të hollave vetëm nëpërmjet “Partners Law” prej kompanive të tjera, por ajo shfrytëzon për këtë edhe shoqëritë e tjera mbi të cilat provohet të ketë pronësi faktike. Konkretisht, kompania “Gogel” që kalon shuma të konsiderueshme të hollash për “Partners Law” sh.p.k., kalon edhe fonde të konsiderueshme gjithashtu për kompaninë “Ava Studio” sh.p.k., në pronësi ligjore të nënës së shtetases Ajola Xoxa, por e zotëruar de facto nga kjo e fundit. Në total shuma e kaluar në llogari të “Ava Studio” nga “Gogel” shpk është 7.468.692 lekë. Në një rast, ndërsa lëshohet një faturë për vlerën 15.000 Euro për “Gogel” sh.p.k. nga “Ava Studio”, duket i çuditshëm përshkrimi i bërë në të, që sipas udhëzimeve të shtetases Ajola Xoxa, ndërsa flet me shtetasen Adela Kondakçiu (shih faqen 825-826), duhet të jetë “produksion video”. Pra, “Gogel” shpk që është një shoqëri e mirëfilltë marketingu, paguan “Ava Studio” shpk, e cila nuk zotëron asnjë kapacitet teknik apo njerëzor për të prodhuar video. Në të njëjtat komunikime, shtetësja Ajola Xoxa, e pyetur nga financierja si duhet bërë përshkrimi në lëshimin e faturës, përgjigjet “si herën e kaluar”. Përsëri për kompaninë “Gogel” që zotërohet nga kunati i shtetases Ajola Xoxa, vëllai i kryetarit të bashkisë Tiranë Erion Veliaj, lëshohet një faturë nga kompania “Ava Studio” shpk, për shumën 36.000 euro, me përshkrimin “faturim sipas kontratës”. Sipas organit procedues theksohet se kompania “Gogel” rezulton të ketë klient kryesor shoqërinë e telekomunikacionit “One Albania”, e cila nga e saj ka përfituar fonde të konsiderueshme nga Bashkia Tiranë duke u shpallur fituese e disa procedurave të prokurimit publik.