Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestron për rreth 1 milion euro në depozita bankare dhe para fizike në pronësi të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij. Sekuestrimi përfshin llogari në dy banka private dhe para cash të gjetura në kasafortë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar masën e sigurimit pasuror për llogaritë bankare në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”. Llogaritë, në emër të shtetases A. X. dhe shoqërive të lidhura me të, kapin vlerën totale prej 869,149.78 euro.
Gjatë kontrollit në zyrat e kompanisë “P. L.” shpk, në pronësi të plotë të A. X., autoritetet zbuluan dhe sekuestruan një kasafortë që përmbante 95,350 euro (kryesisht në kartëmonedha 500 euro), 14,900 dollarë amerikanë dhe 665,000 lekë.
SPAK ka zbuluar se për një periudhë katërvjeçare, A. X., personalisht ose përmes të afërmve, ka kryer blerje online për veshje dhe bizhuteri me vlerë totale 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk figurojnë në asnjë deklaratë periodike të kryebashkiakut të Tiranës apo personave të lidhur.
Masa e sekuestros preventive, e vendosur me vendimin nr. 84 më 10.02.2025, përfshin gjithashtu një vilë në Qerret. Prona figuron e regjistruar në emër të kompanisë Agi Kons të Gentian Sulës, por sipas SPAK është në pronësi faktike të Veliajt.
Mësohet se masa sigurie janë dhënë edhe për Gentian Sulën, Shkëlqim Fushën, Fatmir Bektashin dhe Sokol Kryeziun.
Gjithashtu, nën hetim është deputetja Klotilda Bushka, që ka tentuar të deformojë hetimet.