Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në një familje në fshatin Fitore, duke arrestuar në flagrancë një 46-vjeçar për dhunë dhe kanosje ndaj bashkëjetueses së tij.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi B. S., banues në Fitore, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses dhe e ka kërcënuar me thikë, duke i kërkuar të tërhiqte kërkesën për urdhër mbrojtjeje. Pas denoncimit, forcat e Policisë ndërhynë menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Gjatë arrestimit, autoritetet sekuestruan thikën me të cilën ai dyshohet se e ka kanosur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ku 46-vjeçari do të përballet me akuzat për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje për të mos kallëzuar”.