Policia e Gjirokastrës ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e Baba Hekuran Nikollarit, klerikut të njohur të Teqesë në Alipostivan, i cili u gjet i pajetë në ambientet e teqes.
Sipas njoftimit të policisë, kleriku ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale, megjithatë pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Paraprakisht, dyshohet për një arrest kardiak.
Baba Hekuran Nikollari ka shërbyer për shumë vite në Teqen e Alipostivanit, duke u njohur për përkushtimin ndaj besimtarëve dhe promovimin e harmonisë fetare.
“Me datë 03.02.2025, rreth orës 22:00, në Teqen e Alipostivanit është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune shtetasi H. N., 61 vjeç, Baba i Teqes. Dyshohet se ka humbur jetën nga shkaqe natyrale. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Grupi hetimor po vazhdon punën për të sqaruar rrethanat e ngjarjes,” thuhet në njoftimin e policisë.
Teqeja e Alipostivanit, një nga qendrat më të rëndësishme të bektashizmit në zonën e Përmetit dhe më gjerë, humb një figurë të rëndësishme, duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm në këtë komunitet fetar.