Gripi në kulmin e tij, rriten infektimet në Tiranë e Durrës

Gripi sezonal ka arritur kulmin në Shqipëri, me një rritje të infeksioneve nga AH1N1 dhe AH3N2, sidomos te fëmijët dhe të miturit. Sipas buletinit të Institutit të Shëndetit Publik, java e fundit e janarit ka shënuar intensitet shumë të lartë të gripit dhe infeksioneve respiratore.
Gjatë kësaj periudhe, mbi 23,300 pacientë kërkuan ndihmën e mjekut, por shifrat reale janë më të larta pasi shumë individë nuk i drejtohen qendrave shëndetësore.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur gripi filloi të ulte në shkurt, këtë sezon shifrat po vazhdojnë të rriten. Ekspertët e shëndetit publik parashikojnë që niveli i infeksioneve respiratore të mbetet shumë i lartë deri në mes të shkurtit. Gripin e shoqëron RSV, ndërkohë që rastet e COVID-19 janë shumë më të pakta.
Fëmijët deri në 14 vjeç janë grupmosha më e prekur, ndërsa më shumë komplikacione raportohen te të moshuarit.
Shërbimi shëndetësor ka pësuar një rritje të thirrjeve për ndihmë dhe shtrimeve në spitale, sidomos në qytetet e Durrësit, Tiranës dhe Matit, ku niveli i gripit është më i lartë.