Denoncimet e fundit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV kanë nxitur një valë të re diskutimesh në qarqet politike dhe mediatike të vendit.
Ndërsa mediat pranë qeverisë vijojnë heshtjen e tyre të orkestruar, gazetari investigativ Klodian Tomorri ka zgjedhur të ndjekë të njëjtën praktikë që po përdoret gjerësisht në median dhe politikën shqiptare – mosdeklarimin e emrave konkretë në denoncimet publike.
Në një postim në Facebook, Tomorri sugjeron se SPAK-u tani përballet me sfidën e radhës për të shfajësuar kryeministrin. Sipas gazetarit, një biznesmen i paidentifikuar, i cili financoi qëndrimin dhe detoksifikimin e kryeministrit Rama dhe bashkëshortes së tij në Bolzano të Italisë, ka përfituar më pas leje ndërtimi për projekte të mëdha turistike në bregdetin e Dhërmiut dhe kulla në kryeqytet.
Tomorri e cilëson këtë shkëmbim si një rast të qartë korrupsioni të drejtpërdrejtë, ku përfshihet vetë kryeministri. Ai vë në dukje se vendimet në KKT për lejet e ndërtimit mbajnë firmën e autoriteteve përkatëse, duke krijuar kështu një lidhje të drejtpërdrejtë mes favorit dhe kundërfavorit.
“Këta juristët thonë që po pati veprim dhe kundërveprim mes biznesmenit dhe zyrtarit quhet korrupsion i drejtpërdrejtë”, shkruan Tomorri, duke shtuar se çështja ngre pyetje serioze për mosdeklarim, fshehje dhe pastrim parash.
Në këtë mënyrë, edhe ky denoncim i radhës, ashtu si shumë të tjerë më parë, mbetet në kuadrin e aludimeve dhe sugjerimeve, duke pritur që vetë biznesmeni të dalë publikisht, ose që organet e drejtësisë të ndërmarrin hapa konkretë për zbardhjen e plotë të çështjes.
Reagimi i gazetarit Klodian Tomorri:
E ç’i polli belaja këta të SPAK-ut.
Do dalin prapë do thonë e verifikuam atë punën e hotelit që të heq toksinat në Itali. Nuk e gjejmë dot kush ka qenë, por jemi të sigurtë që nuk ka qenë kryeministri. Siç e bënë për atë punën e Xibrakës.
Se kjo ka zarare të mëdha nga mbrapa. Janë ca vendime në KKT për kompaninë e atij biznesmenit, resorte nëpër Dhërmi, leje nëpër Tiranë e kështu me radhë, me firmën fap e fap poshtë.
Këta juristët thonë që po pati veprim dhe kundërveprim mes biznesmenit dhe zyrtarit quhet korrupsion i drejtpërdrejtë.
Veprimi detoksifikimi. Kundërveprimi firma fap e fap.
Yyy sa punë hap kjo. Mosdeklarim, fshehje, pastrim i produkteve, hetim pasuror, ligj antimafia.
Dilni çuna shpejt thoni që e vërtetuam qe s’ka qenë se s’kemi takat ta çojmë vendin në greminë qeverisëse. Mos na e çoni vendin në kriza që të gëzojnë armiqtë.