Në zyrën luksoze të kryeministrisë, vera 33 mijë dollarëshe në “Dhomën e Luleve” rrjedh si ujë. Por kur bëhet fjalë për vdekjen e një 14-vjeçari në Tiranë, Edi Rama nuk gjen dot as edhe një pikë dhembshurie për familjen e Martin Canit.
Ndërsa familja Cani kërkon drejtësi për djalin e tyre të vrarë barbarisht, kryeministri ka kohë të merret me “përrallat” e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Ndërsa polici Azbi Spahiu detyrohet të tentojë vetëvrasjen pasi guxoi të arrestonte djalin e oligarkut Samir Mane në gjendje të dehur, Rama ka kohë vetëm për të sulmuar kundërshtarët politikë.
Ky është i njëjti kryeministër që nuk humbet rast të propagandojë për “suksesin e reformës në polici” dhe mbështetjen e tij për uniformat blu. Por realiteti flet ndryshe. Kur një polic guxon të zbatojë ligjin ndaj të fortëve, përfundon duke tentuar vetëvrasjen nën presionin e sistemit. Propagandës së Ramës për policinë “e reformuar” i kundërpërgjigjet realiteti i dhimbshëm i Azbi Spahiut.
Kur institucionet e drejtësisë duhet të ishin duke hetuar akuzat tejet të rënda për korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë, del vetë i akuzuari dhe mban “leksione”. Në vend që të flasin prokuroria dhe SPAK-u për akuzat e Ahmetajt për vjedhje të buxhetit, shkelje ligji dhe korrupsion të përhapur, del fajtori dhe shan palën tjetër, sikur kjo të ishte thjesht një debat televiziv e jo një çështje ku luhen jetët e shqiptarëve.
“Ata që dje ishin një karrige më tutje nga unë, janë në duart e drejtësisë,” deklaron me pompozitet nga Kuvendi Rinor socialist. Por para të rinjve të mbetur në Shqipëri – ata që nuk kanë arritur ende të largohen – Rama nuk gjen dot një fjalë për 600 mijë bashkëmoshatarët e tyre që kanë ikur nga vendi në 12 vitet e fundit të “sundimit” të tij. Nuk ka asnjë shpjegim për universitetet që po zbrazen, për rininë që po humbet çdo shpresë për një të ardhme në vendin e vet.
Në kohën e zhvillimeve të mëdha teknologjike dhe inteligjencës artificiale, kryeministri nuk ka asnjë vizion real për Shqipërinë e nesërme. Si mundet që para Kuvendit Rinor socialist të mos thuhet asnjë fjalë për punësimin e të rinjve? Ai merret fund e krye me opozitën dhe kundërshtarët brenda partisë që po i demaskojnë çdo ditë aktivitetin si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit.
Sot, sistemi arsimor po rrënohet, universitetet po kthehen në fabrika diplomash pa vlerë, ndërsa të rinjtë shohin vetëm një zgjidhje – ikjen nga vendi. Një 14-vjeçar humbi jetën në mes të Tiranës dhe kryeministri nuk shkon as për ngushëllim. Një polic u detyrua të tentonte vetëvrasjen pasi guxoi të zbatonte ligjin ndaj të fortëve. Kryeministri vazhdon të pijë verën e tij 33 mijë dollarëshe, të fluturojë me charter privat dhe të përdorë SPAK-un si mjet për të eliminuar kundërshtarët politikë.
Rama nuk jep asnjë shpjegim për verën luksoze që konsumon në “Dhomën e Luleve”, hesht për fluturimet me charter të paguara nga biznesi, nuk thotë asnjë fjalë për tenderat korruptivë dhe skandalin e AKSHI-t. Në vend të kësaj, mundohet të shmangë përgjegjësinë duke treguar me gisht të tjerët që tashmë janë “në duart e drejtësisë”.
Si mundet që në një shtet demokratik, kryeministri të marrë përsipër të flasë në vend të institucioneve të drejtësisë? Si mundet që ndërsa ka prova konkrete për korrupsion dhe krim të organizuar, të reagojë vetëm kryeministri dhe jo SPAK-u? A nuk është kjo provë e mjaftueshme e kontrollit që ai ka mbi institucionet?
Shqiptarët presin përgjigje. Presin drejtësi për Martin Canin 14-vjeçar. Presin mbështetje për policë si Azbi Spahiu që thjesht bëjnë detyrën e tyre. Presin një shpjegim për shkatërrimin sistematik të arsimit dhe largimin masiv të rinisë. Mbi të gjitha, presin të dinë nëse vërtet kanë institucione të pavarura apo thjesht instrumente në duart e një njeriu që sillet si sundimtar absolut.
Por sot, në vend të përgjigjeve, marrin vetëm heshtje nga “Dhoma e Luleve” ku vera 33 mijë dollarëshe vazhdon të rrjedhë. Ndërkohë që vendi fundoset çdo ditë e më thellë në krizë, Rama vazhdon të sillet si komentator i thjeshtë politik, duke lënë në heshtje krimet e vërteta që po ndodhin çdo ditë nën sundimin e tij.
SPAK-u duhet të tregojë nëse është vërtet i pavarur apo thjesht një instrument në duart e atij që pretendon se po ndërton “Shqipërinë që duam” – një Shqipëri ku drejtësia funksionon vetëm për kundërshtarët politikë, arsimi është në kolaps, rinia detyrohet të emigrojë, ndërsa pushtetarët vazhdojnë të jetojnë në luksin e tyre të pamerituar, të paguar me paratë e një populli gjithnjë e më të varfër.