Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen e sterilizimit, mes një atmosfere të tensionuar dhe deklaratash të forta nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Por sipas gazetares investigative Ola Xama, fjalët e Beqajt në sallën e gjyqit fshehin mesazhe të koduara për kreun e qeverisë.
“Kur Beqja thotë se nuk mund të njolloset as emri i tij, as i PS-së dhe as qeveria e parë e Ramës, në fakt po i kujton kryeministrit se kontrata e sterilizimit është bërë me bekimin e tij të plotë”, shpjegoi Xama në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Gazetarja thekson se pyetja e madhe që ngrihet është pse vetëm Beqaj, Rrapaj dhe Rrjepaj janë të pandehur. “Në këtë proces ka patur autoritet kontraktor, titullarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë, ministra të tjerë. Kemi një kontratë që vijon të marrë fonde nga buxheti i shtetit – 19 milionë euro do të marrë për vitin 2025 – dhe është një kontratë e bekuar dhe e mbrojtur edhe nga kryeministri Edi Rama”, nënvizoi Xama.
Sipas saj, deklarata e Beqajt për gjykatën se “nuk mund të njollosni as emrin tim dhe as të PS-së” është në fakt një paralajmërim i koduar: “nëse njollosem unë për sterilizimin, njolloset edhe PS-ja”.
Vetë Beqaj, në një reagim të fortë në sallën e gjyqit, e cilësoi të gjithë procesin si “inkuizicion politik”. “I gjithë ky proces penal ka nisur si proces politik, ka vijuar si hetim politik dhe edhe ju e nderuar gjyqtare me vendimin e datës 23 dhjetor 2024 vendosët një gur të rëndësishëm në themelet e politizimit të kësaj çështje penale”, deklaroi ai.
“Ju e shkatërruat procesin”, akuzoi Beqaj gjykatën. “Hetimet dhe akuzën në mënyrë të parekuperueshme dhe përmes heshtjes suaj të paligjshme, na keni vendosur në pamundësi mbrojtjeje efektive për fakte që nuk janë në akuzë dhe që ju nuk i shpjegoni se ku i keni parë dhe me çfarë provash i mbështesni”.
Ish-ministri, i cili fillimisht akuzohej vetëm për shpërdorim detyre, tani përballet me akuzën më të rëndë të vjedhjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. “Meqënëse unë nuk mund të dilja i pa akuzuar në këtë çështje penale dhe me qenë se ju e konstatuat se as shkelja e barazisë në tender, as shpërdorimi i detyrës dhe as korrupsioni pasiv nuk qëndronin, shpikët akuzën e vjedhjes dhe të grupit të strukturuar kriminal”, tha Beqaj.
Ai premtoi se do t’i çmontojë këto akuza në gjykim. “Edhe sikur me vdekje apo me burgim të përjetshëm të më dënosh, nuk do mund të zhbësh kontributin tim 33-vjeçar në jetën publike të vendit dhe as të njollosësh emrin tim dhe as mbiemrin e familjes sime”, deklaroi ish-ministri.
Beqaj ka refuzuar gjykimin e shkurtuar, duke zgjedhur procedurën e zakonshme, ndërsa dy të pandehurit e tjerë – ish-zëvendësministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj – kanë pranuar gjykimin e shkurtuar.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se koncesioni i sterilizimit, me vlerë rreth 100 milionë euro, është fryrë fiktivisht me dhjetëra milionë. U gjetën shkelje të rënda në procedurat e dhënies së këtij koncesioni të kushtueshëm, me qëllim favorizimin e kompanisë së Ilir Rrapajt dhe italianit Umbro Staccini.
Krahas kësaj çështjeje, Beqaj po hetohet edhe për abuzime me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte SASPAC, ku dyshohet se ka ngritur një skemë me fatura fiktive. SPAK gjithashtu po heton dyshimet se është pronari i fshehtë i restorantit “Gzona” në Kalanë e Tiranës.
Në seancë, Beqaj sulmoi edhe kreun e SPAK, Dumani, duke e akuzuar për udhëzime specifike të dhëna prokurorëve në prill-maj 2023 me qëllim dënimin e tij. Ai premtoi se do t’u tregojë diplomatëve të huaj “të vërtetën e koncesionit të shërbimeve të integruara të menaxhimit të instrumentarit kirurgjikal në spitalet publike”.