Kina sipas të dhënave të saja, është ende eksportuesi më i madh në botë. Siç njoftuan autoritetet doganore të vendit, eksportet kineze në vitin 2024 arritën një vëllim total prej rreth 3.4 trilionë euro, që do të thotë se Kina vendosi një rekord të ri për eksportet e mallrave vitin e kaluar. Sipas shifrave zyrtare, eksportet u rritën me 5.9 për qind në 12 muajt e fundit (krahasuar me vitin 2023), ndërsa rritja më e madhe ka qenë nga fundi i vitit.
Sa i përket importeve, edhe ato janë rritur në vitin 2024 – me 1.1% krahasuar me një vit më parë. Fakti që vëllimi i eksporteve u rrit ndjeshëm në dhjetor të vitit të kaluar tregon se tregtia e jashtme kineze është aktualisht një nga shtyllat e pakta mbi të cilat mund të mbështetet ekonomia kombëtare e Kinës.
Problemet ekonomike në Lindjen e Largët
Në sektorë të tjerë, gjërat nuk po zhvillohen aq mirë. Që nga fundi i pandemisë së virusit korona, ekonomia e Kinës po rimëkëmbet ngadalë. Konsumi i brendshëm mbetet i dobët, ka pasiguri në lidhje me prodhimin industrial, ndërsa tregu i pasurive të paluajtshme mbetet në krizë – pavarësisht një sërë masash ekonomike të miratuara nga qeveria kineze gjatë vjeshtës së vitit 2024.
Instituti Kombëtar i Statistikave pritet të nxjerrë të dhënat përfundimtare për vitin 2024 në lidhje me rritjen ekonomike në fund të kësaj jave. Në mars të vitit të kaluar, udhëheqja e partisë dhe e shtetit vendosën një objektiv të rritjes së PBB-së prej rreth pesë për qind për vitin 2024./DW