Pesë vjet më parë, më 11 janar 2020, bota regjistroi vdekjen e parë nga koronavirusi SARS-CoV-2 në Kinë, duke hyrë në një krizë globale të paprecedentë.
Sot, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare si OBSH analizojnë nëse njerëzimi është më i përgatitur për përballjen me pandemitë e ardhshme.
Vlerësimi i OBSH-së
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë në dhjetor deklaroi se përgjigja nëse bota është më e përgatitur është “po dhe jo”.
Ai theksoi se, megjithëse janë marrë masa të rëndësishme për përmirësimin e mbrojtjes kundër pandemive, ekzistojnë ende dobësi serioze.
Maria Van Kerkhove, drejtuese e Departamentit të Përballimit të Epidemive në OBSH, paralajmëroi se pandemia e ardhshme është një çështje kohe.
Ajo tha se, megjithëse janë bërë përmirësime, bota nuk është ende e përgatitur sa duhet për një shpërthim të madh të një sëmundjeje të re infektive.
Paneli i Pavarur për Përgatitjen dhe Reagimin ndaj Pandemive, krijuar nga OBSH, nxori në pah pabarazitë globale në qasjen ndaj vaksinave dhe ilaçeve, duke e cilësuar këtë si një pengesë të madhe për përgatitjen e duhur ndaj krizave të ardhshme.
Në mënyrë të ngjashme, epidemiologia amerikane Meg Scheffer shprehu skepticizëm:
“Të jem e sinqertë, nuk mendoj se jemi më të përgatitur sesa ishim gjatë COVID-it. Autoritetet shëndetësore ende nuk kanë kapacitetin e nevojshëm për të mbledhur dhe shpërndarë shpejt të dhënat mbi patogjenët e rinj”, tha ajo.
Pesë vjet pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, përgatitja globale për pandemitë mbetet një sfidë e hapur.
Ndërsa disa përmirësime janë bërë, sfidat si pabarazitë dhe dobësitë në sistemet shëndetësore kërkojnë përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur njerëzimin nga krizat e ardhshme./DW