Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje mbi hetimin që po zhvillon SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas Lalës, ekzistojnë dyshime të forta se Veliaj dhe rrethi i tij familjar kanë përfituar ryshfet nga individë dhe kompani të lidhura me Bashkinë e Tiranës.
Hetimi ka nisur mbi bazën e një kallëzimi dhe përfshin analiza të detajuara të pasurive, transferta bankare, përdorimin e kartave të kreditit dhe udhëtimeve jashtë vendit të Veliajt. Një zanafillë e çështjes lidhet me biznesmenin Elman Abule dhe transaksione të dyshimta që çuan në regjistrimin e procedimit penal për korrupsion pasiv nga SPAK.
Prokuroria ka kaluar në sitë pasuritë e Veliajt, familjarëve të tij dhe bashkëshortes Ajola Xoxa. Ndër të tjera, janë kontrolluar studio ligjore e vjehrrës së Veliajt dhe aktivitetet e organizatës “Harabel” të drejtuar nga Ajola Xoxa, ku janë gjetur shuma të konsiderueshme parash të pajustifikuara.
Lala deklaroi se Veliaj është pyetur për disa leje ndërtimi të dyshimta, lidhje me biznesmenë, transferta bankare dhe përdorimin e fondeve nga kompani dhe organizata familjare. Prokurorët dyshojnë gjithashtu për ekzistencën e faturave fiktive dhe transferime të pajustifikuara drejt kompanive të lidhura me familjen Veliaj.
Hetimet vijojnë, ndërsa Prokuroria është duke mbledhur të dhëna nga tenderat dhe aktivitetet financiare të lidhura me Bashkinë e Tiranës. SPAK po përpiqet të zbulojë nëse Veliaj ka përfituar personalisht para nga këto veprimtari.