Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, është marrë i pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Ai akuzohet për bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë, duke favorizuar Gjon Radovanin, si përfitues të tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve.
Sipas SPAK, Ndreca dhe zyrtarët kanë privilegjuar Radovanin në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit, shpallur fitues dhe lidhur kontratë me bashkimin e Operatorëve Ekonomikë, Derbi-E shpk, edhe pse ky nuk përmbushte kriteret ligjore.
Radovani, mik i ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, kishte lidhje me ministrinë dhe ka fituar tendera për shkak të njohjeve.
Hetimet zbuluan shkëmbimin e emaileve dhe takimeve mes Radovanit dhe Ndrecës, si dhe punonjësve të tjerë të ministrisë, lidhur me projektet për rikonstruksionin e komisariateve të policisë. SPAK thekson se Ndreca ka shkelur ligjin dhe ka favorizuar kompaninë fituese, duke krijuar avantazhe për të.
Pavarësisht akuzave ndaj Ndrecës, as Radovani dhe as Sandër Lleshaj nuk janë vënë nën hetim.