Pas shpërthimit të ndodhur pak ditë më parë në katin e 9-të të një pallati në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë, janë zbuluar detaje të reja nga hetimet.
Autoritetet kanë konfirmuar se shpërthimi është realizuar me dron, por ende nuk ka identifikim të autorëve. Mbetjet e dronit do të dërgohen për ekspertizë për të zbuluar më shumë informacion mbi ngjarjen.
Pronari i apartamentit ka deklaruar se kishte dhënë banesën me qira një çifti, ndërsa ka pohuar se nuk ka pasur konflikte.
Nga ana tjetër, gruaja që kishte marrë apartamentin me qira që nga fundi i korrikut ende nuk është gjetur nga policia për t’u marrë në pyetje.
Hetuesit janë të bindur se Benard Sinomati ka qenë në apartament gjatë shpërthimit. Sinomati është një emër i njohur për policinë dhe ka qenë objekt i atentateve të shumta në qytetin e Vlorës, duke dyshuar se rivalët e tij mund të kenë ndjekur dhe tentuar ta eliminojnë në Tiranë, duke përdorur një metodë të rrezikshme që mund të shërbejë si precedent për aktet e ngjashme.
Benard Sinomati është arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje në Vlorë në vitin 2015 dhe ka një histori të dënuarash, përfshirë një dënim në Belgjikë, nga i cili ka dalë në vitin 2021.
Viktima e shpërthimit, Gëzim Sinomati, është djali i Sokol Sinomatit, një ish-anëtar i bandës së Gaxhait në vitin 1997, i njohur edhe me pseudonimin “Buzëderri”.
Sokol Sinomati është i dënuar për vrasjen e një kalimtari të rastit në vitin 2000 gjatë një tentative për të ekzekutuar një tjetër person.