GJKKO ka kërkuar rëndimin e akuzave për ish-Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, lidhur me abuzimet me fondet e SASPAC.
Gjyqtarja Flojera Davidhi i ka kërkuar SPAK që të rikualifikojë akuzën për Beqajn, ish-zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, duke i akuzuar për vjedhje dhe shpërdorim detyre si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Seanca u ndërpre për 30 minuta për t’i dhënë kohë prokurorisë të shqyrtojë kërkesën e gjykatës dhe të vendosë nëse do të ndryshojë akuzat. SPAK kishte dërguar për gjykim dosjen e Sterilizimit, duke akuzuar Beqajn për shpërdorim detyre dhe Rrjepajn dhe Rrapajn për mashtrim të rëndë në bashkëpunim.
Akuza ndaj Beqajt është e lidhur me postin e tij si drejtues i Agjencisë SASPAC, e krijuar për të menaxhuar ndihmat e huaja, dhe jo me periudhën e tij si ministër i Shëndetësisë. Po ashtu, ai është akuzuar për fshehje të pasurisë dhe përfshirje në menaxhimin e një restoranti në Tiranë, GZONA.
Në vitet 2022-2023, hetimet zbuluan një skemë korruptive, ku disa aktivitete dhe konferenca u organizuan me fitues të paracaktuar. Një rast përfshinte një shërbim për një konferencë me vlerë 125 mijë euro, ku u ofruan darka në vlerën 4 milionë lekë, të cilat u shërbyen në restorantin që drejtohej nga Beqaj.