Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Darin Gezdarin, 34 vjeç, dhe ka vendosur arrest shtëpie për Arlinda Markun, 41 vjeçe, të akuzuar për pastrimin e 11 milionë eurove përmes kompanive fiktive.
Gjatë seancës, asnjëri prej të akuzuarve nuk ka pranuar të flasë, por kërkuan zbutje të masës përmes avokatëve të tyre. Gjykata miratoi kërkesën e prokurorit Ndini Tavani.
Skema e mashtrimit dyshohet të jetë zhvilluar gjatë dy viteve të fundit, duke përfshirë përdorimin e shteteve parajsa fiskale si Qipro, Gjibraltar dhe Maltë. Paratë, fillimisht të transferuara në Shqipëri, më pas dërgoheshin në Kanada, duke e bërë veprimin të duket të ligjshëm.
Prokuroria dhe Policia e Tiranës bëjnë të ditur se pasuritë kalonin përmes shoqërive fiktive në Shqipëri dhe më pas në Kanada, duke pastruar produktin e veprës penale. Dyshimet për këtë skemë u ngritën nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe u pasuan nga Seksioni i Hetimit të Pastrimit të Parave dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar nëse ka emra të tjerë të përfshirë.