Shatërvani ikonë i Trevit në Romë është rihapur pas tre muajsh punime restauruese, në kohë për përurimin e Vitit të Shenjtë Jubilar 2025, që pritet të tërheqë miliona vizitorë.
Restaurimi i monumentit të shekullit të 18-të, një nga atraksionet kryesore të Romës, kushtoi 327,000 euro.
Për të shmangur mbipopullimin, është vendosur një kufi prej 400 vizitorësh njëkohësisht.
Vizitorët do të duhet të rezervojnë online dhe të paguajnë një tarifë prej 2 eurosh për hyrjen. Pasi të hyjnë, ata do të kenë 30 minuta për të admiruar monumentin dhe për të përjetuar magjinë e tij.
Claudio Parisi Presicce, mbikëqyrësi i Romës për trashëgiminë kulturore, tha se kufizimi i numrit të vizitorëve u jep atyre më shumë kohë për të vlerësuar vlerat historike dhe kulturore të monumentit.
Për të menaxhuar turmat e pritshme gjatë jubileut, zyrtarët kanë planifikuar bllokimin e zonës përreth shatërvanit.
Tradita e hedhjes së monedhës, që simbolizon një kthim të sigurt në Romë, vazhdon të jetë pjesë e përvojës së vizitorëve.
Kjo praktikë ka gjeneruar rreth 1.5 milionë euro në vit, të cilat prej 15 vitesh janë dhuruar për shoqatën bamirëse katolike Caritas.