Policia kufitare ka arrestuar dy shtetas turq dhe një shqiptar, të cilët janë dënuar për krime të ndryshme.
Dy shtetasit turq janë arrestuar me qëllim ekstradimi në Turqi dhe Gjermani, për akuzat e marrëdhënieve seksuale me dhunë dhe prodhimit/shitjes së narkotikëve.
Po ashtu, një shqiptar është arrestuar për t’u shërbyer dënimit me 5 vite burg.
Njoftimi:
PKK Rinas
Ndalohen me qëllim ekstradimi në Turqi dhe në Gjermani, 2 shtetas turq, të dënuar për marrëdhënie seksuale me dhunë dhe prodhim/shitje narkotikësh.
Gjithashtu po nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas është kapur në hyrje edhe një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim i dënuar me 5 vjet burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i verifikimeve dhe intervistimeve në hyrje/dalje, të kryera nga specialistët e Policisë Kufitare të Rinasit, si dhe si rezultat i koordinimit të punës ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe strukturave homologe në Turqi dhe në Gjermani, u arrestuan provizorisht shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-Burak Kara, 38 vjeç, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, pasi është dënuar në vitin 2022, nga Gjykata e Mesinit, Turqi, me 8 vjet e 4 muaj burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë. Nga dënimi, 38-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet, 6 muaj e 21 ditë burgim;
-Metehan Tutungu, 25 vjeç, u ndalua në dalje të Shqipërisë, pasi është dënuar në vitin 2023, nga Gjykata e Aschaffenburg, Gjermani, me 6 vjet e 6 muaj burgim, për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Vijon bashkëpunimi me homologët, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e 2 shtetasve, në shtetet ku janë dënuar.
Gjithashtu po nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas është kapur dhe vënë në pranga shtetasi Orgen (Mariglen) Bushpreni, 40 vjeç, banues në Laç. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.