Një 40-vjeçar është paraqitur këtë të dielë në Qendrën Shëndetësore të Klosit, duke pësuar fraktura të rënda në kokë dhe trup.
Sejdin Karaj, banor i zonës, ka deklaruar se është dhunuar nga tre persona të maskuar, të cilët përdorën armë gjatë sulmit. Ai ka thënë se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk di se kush mund të jenë autorët, por ka theksuar se ata kishin pistoleta dhe e goditën me qyte të armëve në trup dhe kokë.
“Unë jam blegtor dhe bujk, nuk kam probleme me askënd. Ata më goditën me qyte të pistoletës. Tentova t’i ndaloj, por më qëlluan te kaptina”, ka deklaruar Karaj. Ai ka shtuar se ka arritur të shpëtojë dhe ka kërkuar ndihmë në qendrën shëndetësore, ku është trajtuar për plagët e marra.
Policia e Klosit ka dokumentuar rastin dhe po vlerëson deklaratat e 40-vjeçarit për të sqaruar më tej ngjarjen dhe autorët e mundshëm të dhunës.