Nofka e saj është “Kukulla”, por kjo 23-vjeçare nga Kolumbia, Karen Julieth Ojeda Rodriguez, nuk është aspak e pafajshme, siç mund të sugjerojë emri.
E konsideruar si një nga anëtaret kyçe të organizatës kriminale “Los de la M”, ajo akuzohet për një seri vrasjesh, përfshirë edhe eliminimin e ish-partnerit të saj.
Arrestimi i saj ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, jo vetëm për krimet e dyshuara, por edhe për qëndrimin sfidues që shfaqi gjatë momentit të kapjes.
Sipas hetimeve, një nga viktimat e saj ishte Deyvy Jesús García Palomino, i njohur si “Orejas”. Ai u vra në korrik, pasi ishte mashtruar nga Karen për t’u takuar në një zonë të izoluar me pretekstin e zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje financiare.
Pasi mbërriti në vendin e takimit, dy persona të armatosur e qëlluan në gjoks, duke i marrë jetën.
Lidhjet me “Los de la M”
Autoritetet thonë se Karen luante një rol kyç në këtë bandë të njohur për përplasjet e dhunshme me grupet rivale në luftën për dominim të trafikut të drogës dhe gjobave. Ajo dyshohet se koordinonte vrasje me pagesë nën urdhrat e kreut të bandës, John Jairo Fernández Portala, i cili drejtonte rrjetin nga burgu.
Karen u arrestua më 30 shtator, së bashku me një bashkëpunëtor të saj, Leopoldo, të cilit iu gjetën një pistoletë dhe një motoçikletë. Autoritetet besojnë se arrestimi i tyre është një hap drejt shkatërrimit të këtij rrjeti të rrezikshëm dhe shpresojnë që rajoni të rifitojë qetësinë e humbur.