Në emisionin ‘Log,’ në News24 është diskutuar ngjarja e rëndë, vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u qëllua për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.
Anila Pulaha, drejtoreshë në shkollën “Naim Frashëri”, duke folur për problemet në shkollë tha se brezi më i vështirë është mes klasave 6 dhe 9.
Ajo vuri në dukje se numri i madh i nxënësve në klasa mund të jetë një problem, ndërsa theksoi se prania e oficerit të sigurisë në shkolla ofron një ndihmë të rëndësishme.
“Papërgjegjshmëria e prindërve dhe mungesa e një baze ligjore që ata të marrin përgjegjësi, krijon probleme”, tha ajo. Pulaha u shpreh se problemet vijnë kryesisht nga përdorimi i telefonave, duke shtuar se në snap chat janë përplasjet më të forta që ndodhin mes nxënësve, gjatë pasditeve.
“Shkohet deri atje sa nxënësit nuk pranojnë të dalin as te faqja e shkollës, në kuadrin e aktiviteteve, sepse i druhen meme-ve nga bashkëmoshtarët e tyre”, tha Pulaha.