Agron Malaj, një ish-gardist i përfshirë në ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011, sot qëndron në krye të Bashkisë Mat, duke orkestruar një rrjet të ndërlikuar biznesi dhe tenderash që ngre shumë pikëpyetje. Historia e Malajt është një kronikë e transformimit nga një figurë e diskutueshme e forcave të sigurisë në një lojtar kyç të politikës dhe biznesit lokal. (Lexo këtu)
“Bëma e radhës”: Bashkia Mat, nën drejtimin e Malajt, ka akorduar 13 milionë lekë për blerjen e materialeve të sistemit vaditës, në një periudhë kur rajoni hyn në sezonin e reshjeve. Fondi do të përdoret kryesisht për pajisje pune dhe materiale mirëmbajtjeje.
Tenderi, i shpallur më 13 nëntor 2024, u mbyll vetëm 12 ditë më vonë. Kompania “GENERAL PLUS”, në pronësi të Fatos Brajës, u shpall fituese duke ofruar vlerën maksimale të fondit limit. Kontrata mbeti e papublikuar deri më 4 dhjetor 2024, kur u bë publike nga Agjencia e Prokurimeve Publike.
Projekti parashikon blerjen e pajisjeve të ndryshme, përfshirë veshje pune, lopata, sharra dhe materiale të tjera ndërtimi. Megjithatë, plani i mirëmbajtjes së infrastrukturës vaditëse mbetet i paqartë.
Open Data Albania e ka klasifikuar këtë tender si të dyshimtë për korrupsion. Vlen të përmendet se kompania fituese ka fituar tre tendera të tjerë nga Bashkia Tiranë në tre muajt e fundit, duke përfshirë furnizime për ECO Tirana, ku konkurrentët u skualifikuan.