Mbrojtja e 14-vjeçarit, Mario Perlleshaj, i cili akuzohet për vrasjen e Martin Cani dhe plagosjen e një tjetër bashkëmoshatari gjatë një sherri që ndodhi më 18 nëntor pranë shkollës “Fan Noli”, ka ankimuar masën e sigurisë “Arrest në Burg” që iu caktua dy javë më parë.
Avokati i të miturit ka kërkuar që gjykata të shqyrtojë mundësinë e një mase më të butë sigurie dhe të heqë dënimin me burg, duke argumentuar se Perlleshaj ka vepruar për vetëmbrojtje. Sipas tij, i mituri ka përdorur një thikë gjatë përleshjes me Canin dhe bashkëmoshatari të plagosur, dhe ka qenë ai që ka mbetur i plagosur në këtë ngjarje.
Më 30 nëntor 2024, Mario Perlleshaj është ripyetur për 8 orë nga Prokuroria e Tiranës. Gjatë marrjes në pyetje, ishin të pranishëm avokati i tij, një psikolog dhe njëri nga prindërit e tij.
Pritet që në Apelin me Juridiksion të Përgjithshëm të hidhet shorti për caktimin e trupës gjyqësore, e cila do të shqyrtojë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë për të miturin.