Tetë vite pas vrasjes së shqiptarit Edvin Sadiku, autoritetet italiane kanë arrestuar një 37-vjeçar nga Bitonto, me inicialet C.F., si të dyshuarin kryesor të krimit.
Ai akuzohet për “vrasje me paramendim”, “posedim të armëve të zjarrit”, dhe për kryerjen e veprimeve me metoda mafioze.
Ngjarja ka ndodhur më 3 shkurt 2017, në Toritto, ku Sadiku, atëherë 33 vjeç, ishte përfshirë në një grabitje të armatosur.
Pas grabitjes, në një zonë të izoluar pranë Binetto, C.F. dyshohet se e ka qëlluar Sadikun 12 herë në qafë dhe kokë, duke e lënë të vdekur.
Hetuesit zbuluan se vrasja ishte urdhëruar nga kreu i klanit Cipriano të Bitontos, për të shmangur bashkëpunimin e mundshëm të Sadikut me drejtësinë, që mund të rrezikonte ekzistencën e organizatës kriminale.
Gjyqtari hetues ka konfirmuar rrethanat rënduese të metodës mafioze dhe qëllimin për të favorizuar një shoqatë kriminale. Arrestimi është pjesë e një hetimi më të gjerë kundër aktivitetit mafioz në zonën e Bitontos.