Policia e Kosovës njoftoi në mbrëmje për shtimin e masave të sigurisë në gjithë vendin, duke përfshirë zonën veriore, ku kohët e fundit janë shënuar disa sulme dhe incidente të rënda kriminale.
Në deklaratë theksohet se është planifikuar shtimi i autoriteteve policore, me qëllim garantimin e një niveli më të lartë sigurie në të gjitha rajonet.
“Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në terren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, tha Policia e Kosovës.
Ky institucion theksoi se shtimi i masave policore ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, parandalimin e veprimeve kriminale dhe ndjekjen penale të atyre që do të tentojnë të kërcënojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues.
Qëllimi i operacioneve policore do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale”, tha Policia e Kosovës
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditëve të fundit janë shënuar incidente me mjete shpërthyese.