Një vatër e Murtajës Afrikane të Derrave është identifikuar në Malin e Rrencit, në Lezhë, ku deri tani janë regjistruar të paktën 10 krerë derrash të ngordhur.
Nga këta, pesë kanë ngordhur në një fermë dhe pesë të tjerë përgjatë masivit pyjor të kësaj zone. Sipas analizave të Shërbimit të Veterinarisë në Lezhë, derrat kanë ngordhur nga Murtaja Afrikane, e cila është një sëmundje shumë ngjitëse dhe vdekjeprurëse për derrat, me një shkallë vdekshmërie deri në 100%.
Pasi u konstatua ky rast, autoritetet vendosën menjëherë karantinën e zonës, ndërsa po kryhen verifikime të mëtejshme në gjithë territorin për të monitoruar situatën.
Sëmundja shkaktohet nga një virus i familjes Asfaviridae, i cili është shumë rezistent në mjedis dhe mund të mbijetojë për periudha të gjata në materiale të ndryshme, si rroba, çizme dhe mjete transporti, duke rrezikuar përhapjen e saj në zona të tjera.
Shërbimi veterinar ka theksuar se virusi mund të mbijetojë për periudha të gjata në mishin e derrit dhe nënprodukte të tij, çka paraqet një kërcënim të madh për përhapjen e murtajës. Aktualisht, autoritetet janë duke marrë masa për të frenuar përhapjen dhe për të siguruar që situata të mbahet nën kontroll.