Operacioni i fundit i SPAK në Elbasan ka zbuluar se banda e Suel Çelës ka pasur kontroll të plotë mbi ligjin në këtë qytet, duke përfshirë jo vetëm vrasjet dhe trafiqet, por edhe emërimet në administratë.
Përpara disa ditësh, “Pamfleti” publikoi një denoncim mbi emërimin e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT).
Nga lista e 21 personave të akuzuar nga SPAK, janë identifikuar edhe Marsel dhe Xhino Roka, vëllezërit e Adelajda Roka, drejtoreshës së AZHT.
Ajo, dikur juriste në një kompani çimentoje në Fushë Krujë, u emërua drejtoreshë e AZHT, duke pasur dy vëllezër, të cilët ishin ushtarë të Suel Çelës.
Por, ky nuk është i vetmi institucion që ka rënë nën kontrollin e tyre, pasi edhe Agron Roka, babai i Adelajda Rokës, ka mbajtur postin e drejtorit të burgut në Bradashesh.
Gjithashtu, në dosjet e hetimeve dalin edhe episode të tjera, ku Suel Çela dhe Klaus Matishi ndërhyjnë për të vendosur njerëzit e tyre në pozita kyçe, si në krye të Spitalit të Elbasanit, ashtu edhe në sektorin e Antidrogës të Policisë së Elbasanit.
Spitali ishte i rëndësishëm për ta për shkak të tenderëve, ndërsa pozita e drejtorit të Antidrogës kishte vlerë strategjike për të kontrolluar më lehtë territorin.
Dosja e SPAK
Më 20.04.2020, Klaus Matishi komunikon me Megi Fetah, duke i treguar se po fliste me “shokun” (Marjus Lulaj), me të cilin kishin ndarë disa detyra. Klaus i thotë se pas përfundimit të gjyqeve, shoku i tij kishte kërkuar spitalin e Elbasanit për të emëruar “Luanin” drejtor, pasi spitali kishte tendera dhe mundësi për të punësuar njerëz. Gjithashtu, Klaus planifikonte të vendoste shefin e Antidrogës për të mundësuar shpërndarjen e narkotikëve në zonën e 5-Majit dhe gjithë qytetin. Kjo i jepte përfitim, por gjithashtu lejonte kontrollin e qytetit, pasi shitja e drogës i mundësonte të mësonin informacione të reja.
Klaus Matishi: “… Zemer mfal ngeca ktu…. Joo asgje me shokun fola der tani…. Ndam ca detyra ne qytet…. Sa te marojm gjygjet i kerkova spitalet e el. Do ve luanin drrejtor. Do kerkoj dhe shefin e antidrroges. Dhe toni te shesi mall per te gjith pes main. Dhe cuna tonet. Naper qytet. Megi Fetah, … pse spitalet psh? Klaus Matishi,… Po atje ks qen ja di ai. Ka dhe lek. Tendera. Me mjafton per vene pune te fus njerzit e mi…. Plus kush shet mall do i perzem do bim ne. Ndifmojm cunat e jon. Dhe oagujm shefin. Dhe kemi me shum kontrroll ne qytet. Se malli ka thashetheme. Plus i inkursjon cunat. Knaqen brjn nai lek. Ngjon. Afron njerez.