Në Shqipëri, 28 Nëntori shënon 112-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një moment historik dhe krenarie kombëtare. Me këtë rast, figura të rëndësishme politike kanë shprehur urimet dhe mesazhet e tyre për këtë ditë të shënuar.
Kryeministri Edi Rama publikoi një video festive me koreografi vallesh dhe këngën “Për ty atdhe,” të kënduar nga tenori Ramë Lahaj, për të uruar shqiptarët.
Ndërsa, Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, i cili aktualisht ndodhet në qeli, theksoi në urimin e tij rëndësinë e ruajtjes së vlerave dhe idealit të Lirisë, duke ftuar për bashkim kombëtar dhe mbrojtjen e integritetit territorial kundër çdo pushtuesi. Ai përkujtoi sakrificat e figurave historike si Ismail Qemali, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Adem Jashari.
Gjithashtu, Lulzim Basha, ish-kreu i PD-së, e cilësoi 28 Nëntorin si datën më të rëndësishme të identitetit kombëtar dhe përkujtoi momentet historike që lidhen me këtë ditë, duke nënvizuar nevojën për reflektim dhe përmbushjen e përgjegjësive për të ardhmen.
Belind Këlliçi, drejtues politik i PD-së për Tiranën, apeloi për reflektim dhe ndryshim, duke theksuar nevojën për largimin e qeveritarëve të korruptuar dhe ndërtimin e një Shqipërie ku qytetarët të kenë mundësi të ndjekin ëndrrat e tyre.
Postimi i Sali Berishës:
Gëzuar 28 Nëntorin, festën e festave!
Miq, sot shqiptarët në Shqipëri dhe kudo jetojnë festojnë 28 Nëntorin si festën e të gjitha festave, Diten e Flamurit tonë kombëtar, ditën e shpalljes nga Ismail Bej Vlora, 112 vite më pare në qytetin e Vlorës, të Pavarësisë së Shqipërisë.
Më 28 Nëntor të vitit 1443 prijësi i përjetshëm i kombit Shqiptar ngriti flamurin e tij, flamurin Kuq e Zi në Krujë. Po në këtë datë të vitit 1944, nga Shqipëria u larguan pushtuesit e huaj dhe hyri si “çlirimtar” Enver Hoxha, i cili pasi shndërroi luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj në një luftë vllavrasëse, do të vendoste në Shqipëri si “Hitleri shqiptar” i Pas Luftës së Dytë Botërore diktaturën staliniste më mizore që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre.
Sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, ne nderojmë dhe i përulemi me mirënjohjen më të thellë flamurit tonë kombëtar, babait të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të saj. Nderojmë prijësin e përjetshëm të kombit tonë, Skenderbeun dhe qindra mijra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat, për liri dhe dinjitet kombëtarë e njerëzor.
Prandaj të dashur miq, ju ftoj t’i urojmë së bashku Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë gëzuar këtë ditë, përjetësi, zhvillim dhe begati. Por në festojmë këtë ditë të madhe me diktaturën e narkoshtetit të Edi Ramës, “Pashiqit” të Tiranës, që po shkretëton dhe zbraz sa asnjë pushtim tjetër në histori Shqipërinë nga shqiptarët dhe që komploton ditë e natë me Beogradin kundër Kosovës. Le të na frymëzojnë n dita e Pavarësisë për të çliruar sa më shpejt Shqipërinë nga regjimi i “Pashiqit” të Tiranës.
Duke përfunduar, të dashur miq, le t’i urojmë ne mbarë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë. Nderim për jetë, Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të Pavarësisë.
Nderim për jetë të rënëve të kombit tonë. GËZUAR! #sb
Të gjitha mesazhet, pavarësisht toneve dhe qëndrimeve politike, përshkohen nga ndjenja e mirënjohjes për të kaluarën dhe angazhimi për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.