Argita Malltezi, vajza e liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pati një debat mbrëmjen e sotme me analistin Lorenc Vangjeli.
Gjatë diskutimit, Malltezi bëri një krahasim mes situatës së Berishës dhe asaj të ish-ministrit Saimir Tahiri.
“Ka shumë njerëz që rrinë në burg pa pasur një vendim gjyqësor, që mund ta ankimojnë. Kjo është një përpjekje e jona për të ndaluar këtë gjë. Unë besoj që Sali Berisha i bëri një shërbim vendit. Nuk është e saktë ajo që thotë zoti Vangjeli që “Sali Berisha interpretoi Kushtetutën”. Kush e miratoi Kushtetutën? Kush e miratoi Kodin e Procedurës Penale? Kush e ka miratuar rregulloren e Kuvendit? Këto janë akte ligjore të miratuara nga Kuvendi, që ka bërë interpretimin e imunitetit të deputetit në rastin e zotit Tahiri”, u shpreh ajo.
Por, vajza e ish-kryeministrit u kundërshtua nga Vangjeli, i cili deklaroi se janë dy çështje të ndryshme.
“Mos e përmendni, zonjë. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Në rastin e zotit Tahiri shkoi Prokuroria në Parlament sepse kërkonte masën e arrestit me burg. Duhet të shkonte në atë rast. Ndërsa në rastin e zotit Berisha mendoi se detyrimi për paraqitje nuk ishte masë që kërkonte autorizim Parlamenti”, tha Vangjeli.