Ish-nënkryetari i Bashkisë së Kukësit, Granit Gjana, është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Posaçme ditën e sotme.
Dënimi i tij është konvertuar në 2 vite shërbim prove, gjithashtu, ai është ndaluar të ushtrojë funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, Gjana akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë në dy raste, duke dyshuar se ka ndërhyrë në procesin e prokurimeve publike për të favorizuar palë të caktuara, në kundërshtim me ligjin për barazinë në tendera dhe konkurrencën e ndershme.
Një tjetër aspekt i ngjarjes është lidhur me video-skandalin e publikuar më 16 qershor të vitit të kaluar, ku Safet Gjici, ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, dhe shtetasja Alma K. shfaqen duke kryer akt seksual në zyrën e kryetarit.
Në video, Gjici bisedonte për tenderin e qenve të rrugës dhe i jepte udhëzime Granit Gjanës për hapat ligjorë që duhej të ndiqte për realizimin e projektit.
Alma K. shkonte në zyrën e Gjanës dhe merrte udhëzimet për dokumentet që duheshin, dorëzonte letrat dhe në fund largohej nga ndërtesa e Bashkisë së Kukësit me konfirmimin se do të merrte tenderin.
Granit Gjana ka dëshmuar për këtë skandal edhe para SPAK-ut.