Më 5 janar 2021, në Portin e Roterdamit, një kontejner që vinte nga Amerika Latine dhe kishte banane, u skanua me rrezet X, duke zbuluar një ngarkesë prej 446 kg kokainë. Droga u asgjësua menjëherë, por ky dështim e ka acaruar rëndë Suel Çelën, për shkak të pasojave për organizatën kriminale që ai drejton.
Në dosjen e SPAK për këtë grup, janë zbardhur bisedat e Çelës në aplikacionin SKY, ku ai diskuton me bashkëpunëtorët, përfshirë Ergys Dashin, i cili konsiderohet organizatori dhe bashkëfinancuesi i trafikut të kokainës. Dashi, i cili ka lidhje të ngushta me grupe kriminale dhe autoritete në Ekuador, do të ekzekutohej në një atentat mafioz më 22 janar 2022.
Ngarkesa me kokainë ishte nisur nga Ekuadori në Holandë në dhjetor 2020, dhe plani për organizimin e trafikut u zhvillua në një takim në Elbasan, më 28 shtator 2020, ndërmjet Suel Çelës dhe Ergys Dashit. Vlera e drogës ishte 5500 euro për kilogram, dhe fitimi i pritshëm ishte kolosal.
Çela synonte të përfshinte Ervin Matën, i njohur si “Boli”, në bashkëfinancimin e operacionit, por pasi ai nuk shfaq interes, Çela do të mbante financimin për të gjithë operacionin.
Bisedat e zbardhura nga SPAK tregojnë se Ervin Mata shprehet i gatshëm të marrë pjesë në trafikun e drogës dhe ka diskutuar detajet me Çelën dhe Dashi.