Autoritetet kanë sekuestruar 19 prona të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës, të cilat i përkisnin një pjesëtari të një grupi të strukturuar kriminal të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Shtetasi N. Gj., 36 vjeç, i dënuar me 12 vjet burgim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO), kishte transferuar pasuritë në emër të të afërmve për të fshehur origjinën e tyre kriminale.
Pasuritë, me një vlerë totale prej rreth 2.5 milionë eurosh, përfshijnë: 10 apartamente në Durrës, 5 apartamente në Tiranë, 1 njësi tregtare në Durrës, 2 garazhe dhe 1 ndërtesë në Tiranë.
Sekuestrimi u krye pas një hetimi të thelluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit.
Hetimet për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të lidhura me veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi janë ende në vijim.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.