Detaje të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen tragjike që i mori jetën 14-vjeçarit Martin Cani.
Fiqiri Meçe, babai i shokut të viktimës, i cili gjithashtu u plagos gjatë konfliktit dhe aktualisht ndodhet në spital, ka zbuluar se ngjarjen e kanë kryer dy autorë, dhe jo vetëm M. P., ndaj të cilit është marrë masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas babait të të plagosurit, djali i tij ka treguar se autori i dytë ka pasur një thikë më të vogël, me të cilën e ka goditur, ndërsa thika që mori jetën Martin Canit ishte më e madhe.
Ai shtoi se djali i tij është në intubim për shkak të vështirësisë për të marrë frymë, dhe i bën thirrje prindit të autorit të dytë që të dorëzojë fëmijën e tij, ose do të bëjë gjithçka publike.
Fiqiri Meçe shprehet se ka frikë se ngjarja mund të manipulohet.
“Djali nuk është më mirë, por nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres e në panik, goditjet janë shumë të thella, krahun e majtë pothuajse e ka të paralizuar, po i bëjmë fizioterapi në mënyrë private se nga spitali nuk po na ofrojnë asgjë, as psikolog as fizioterapi. Mjekët na kanë thënë që nuk do ketë ndërhyrje të dytë deri sa të shohin gjendjen në vazhdim. Thika i ka prekur mëlçinë dhe djali është në intubim dhe nuk e dimë se sa do ta zgjasim. Për momentin do ta marrë aty ndihmën mjekësore pastaj kam në plan ta lëviz jashtë sepse nuk e di se sa kohë do të duhet që me pesë plagë në trup të bëhet ai që ka qenë. Ne jemi komshinj me babanë e Martinit dhe fëmijët njiheshin që të vegjël, shokë në ekip. Kur shkonin në ndeshje, gjithmonë i merrja unë te dy, ishin të pandarë, ishin si vëllezër, vishnin rroba njësoj. Kur kishin një debat e kuptoja, se vishnin rroba të ndryshme. Martini vinte rrinte tek shtëpia ime, merrte djalin shkonin tek shtëpia e tij. Bënin edhe not për zgjatje.