Një rast i rëndë i mashtrimit me vaj ulliri të falsifikuar është zbuluar në Berat, ku baba e bir, duke shfrytëzuar rrjetet sociale, shisnin vaj të përzier si vaj ulliri bio.
Hetimet kanë zbuluar se të dy autorët kishin përshtatur një ambient të posaçëm në banesën e tyre në fshatin Tapi, Kuçovë, ku përzienin vajra të ndryshëm dhe lëndë të panjohura.
Operacioni policor i koduar “Oil”, i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, çoi në arrestimin e Alush Agalliut, 56 vjeç, ndërsa djali i tij është shpallur në kërkim.
Produktet përgatiteshin në mënyrë të paligjshme dhe reklamoheshin në faqen e Facebook “Vaj Ulliri Bio Jugu”. Më pas, ato shiteshin si vaj ulliri bio përmes shërbimit postar privat, duke përfituar shuma të mëdha të ardhurash të fshehura.
Gjatë kontrollit të banesës, policia sekuestroi:
3000 litra lëndë vajore të papërcaktuar, 1000 litra vaj të dyshuar kikiriku.Një laptop dhe printer për prodhimin e etiketave postare, si dhe një shuma monetare prej 2.9 milionë lekë dhe 1800 euro, të dyshuara si fitime nga veprimtaria e paligjshme.
Kjo skemë mashtrimi u dokumentua pas një investigimi të publikuar nga emisioni “Stop”, i cili ngriti alarmin për produktet e falsifikuara që po shpërndaheshin në tregun vendas.
Materialet për rastin i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për vijimin e procedurave ligjore. Ndaj dy autorëve rëndojnë akuzat për “Fshehjen e të ardhurave” dhe “Mashtrimin me produktet ushqimore”, të kryera në bashkëpunim.