Në Kuvend ka shpërthyer një tension i fortë, kur deputetët e opozitës janë ngritur në këmbë dhe kanë rrethuar foltoren, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka tentuar t’u tërheqë vëmendjen.
Ngjarja ndodhi ndërkohë që ministri i Financave, Petrit Malaj, po përgatitej të mbante fjalën e tij.
Deputetët e opozitës, të indinjuar, e kanë bllokuar foltoren, duke refuzuar të lejojnë zhvillimin e seancës. Në këtë moment, janë afruar punonjës të Gardës, por kryetarja Spiropali ka kërkuar që ata të largoheshin.
Tensionet kanë shpërthyer kur ministri Malaj ka kërkuar të paraqiste projektbuxhetin, duke refuzuar të përgjigjej pyetjeve të Gazment Bardhit, kreut të grupit parlamentar të PD-së.
Ky i fundit ka pasur një përplasje verbale me deputetin e PS-së, Toni Gogu.
Pas kësaj, ministri Malaj ka filluar të japë përgjigje për pyetjet e opozitës, duke kërkuar një përballje të mëtejshme në Kuvend.
Pyetjet e Bardhit:
Sa është fondi i parashikuar në buxhet për rritjen e pensioneve vitin e ardhshëm?
Ka një rritje të kostos së jetesës për secilin qytetar shqiptar, por sigurisht që këtë kosto të jetesës e vuajnë familjet në nevojë, sa është fondi në 2025 për rritjen e masës së ndihmës ekonomike për familjet në nevojë?
Media raporton që ish-pronari i Agon Channel i mbyllur për shkak se ishte kritik me qeverinë, rezulton se ka arritur të marrë gjobën e vendosur nga Arbitrazhi në masën 120 mln euro, duke qenë se buxheti parashikonte detyrimet nga Arbitrazhi, a mund të na thoni si ndikon ky ekzekutim në buxhetin e shtetit. Si do të kompesohet kjo masë e madhe parash, ndërkohë që ka shkuar si shkak i një teke të km në xhepat e një biznesmeni të huaj.