Ilirian Celibashi, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deklaroi se është parashikuar implementimi i votimit elektronik në qarkun e Tiranës, por akoma nuk është arritur dakordësia e të gjitha partive politike për këtë çështje.
Ai theksoi se është e rëndësishme të merret opinioni i partive për të siguruar që ky proces të jetë në përputhje me ligjin dhe të respektojë sensibilitetin e votimit elektronik.Celibashi shtoi se për shkak të kostos dhe kohës të pamjaftueshme, votimi elektronik në gjithë Shqipërinë është i pamundur, edhe nëse do të financohej nga qeveria.
Ndërkaq, mundësia mbetet vetëm për Tiranën, ndoshta edhe për dy qarqe të tjera, duke i konsideruar këto opsione si më të përshtatshme për zhvillimin e votimit elektronik.
Buxheti i KQZ përfshin koston për implementimin e votimit elektronik në Tiranë dhe mundësinë e votës nga diaspora.
“Kemi parashikuar votim elektronik në qarkun e Tiranës. Kemi patur një komunikim formal me partitë politike në lidhje me këtë çështje. Deri në momentin që flasim nuk e kemi dakortësinë e të gjitha palëve. Kjo është një gjë që duhet ta kemi në konsideratë ne si institucion për shkak të sensibilitetit që ka kjo mënyrë votimi. Është e domosdoshme të kemi një opinion të partive politike në lidhje me këtë. Ne nuk kemi vendosur akoma dhe nuk di të them sot nëse do të duhet ta marrim këtë vendim për të konsideruar komponentin të pëlqimit ose mos pëlqimit politik duke vlerësuar sa kjo shkon në respektim apo mos respektim të ligjit”, tha Celibashi.