I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka njoftuar se do të nisë përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel midis kryenegociatorëve. Në një postim në rrjetin social Facebook, Lajcak njofton se javën e ardhshme do të fokusohet në përgatitjen e takimit të radhës të kryenegociatorëve në Bruksel dhe se dëshiron ta organizojë në javët në vijim.
“Javën e ardhshme do të përqendrohem tek organizimi I takimit të radhës mes kryenegociatorëve I cili do të më pëlqente të zhvillohej javët e ardhshme”,- thotë Lajçak.
Procesi i dialogut është prej kohësh i ngrirë për shkak të situatës politike. Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik por kryeministri i Kosovës Kurti dhe presidenti serb Vuçiç, nuk janë takuar qe nga shtatori 2023, pas ngjarjes në Banjskë. Kurti më herët ka vënë kusht dorëzimin e Milan Radoicic tek autoritetet kosovare për rinisjen e dialogut. Milan Radoicic ka pranuar publikisht se ka qenë organizator i ngjarjes.