Rrjetet sociale janë bërë pjesë e jetës sonë të përditëshme, shpesh duke na shërbyer për zgjidhjen e shumë çështjeve, shpesh për përdorim profesional, pra në punë, e në raste të tjera edhe për të kaluar kohën e lirë, apo një kohë ndryshe. Në fakt, rrjetet më të përdorura, të paktën në vendin tonë, janë ato të kompanisë “Meta” si: Facebook, Whats App apo Instagram, pa harruar pse edhe Tik Tok. Në fakt, përtej këtyre aplikacioneve, “Signal” një tjetër aplikacion që së fundmi po bëhet shumë i modës, e mbi të gjitha po preferohet për të shantazhuar. Pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka rënë pre e një shantazhi pikërisht në aplikacionin “Signal”. Atij i janë dërguar disa foto, të cilat pretendohet se janë biseda në “SkyECC” mes 2 personazheve të botës së krimit, Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasi, ku përmendet Bardhi. Rasti i Bardhit është i fundit nga dhjetra raste të tjerë, ku biznesmenë të ndryshëm apo njerëz me pushtet janë zhvatur, pasi u shkojnë mesazhe në emër të zyrtarëve të lartë shtetërorë. “Signal” është një platformë e koduar që konsiderohet e sigurt dhe nuk përgjohet. Ajo të jep mundësi të dërgosh tekst, foto dhe video që më pas asgjësohen. Po ashtu jep mundësinë e komunikimit audio dhe video, por të gjitha seancat e komunikimit ndërmjet përdoruesve të “Signal” kodohen automatikisht.
Rastet e fundit dëshmojnë se në fakt politika apo edhe biznesmenë të fuqishëm, përdorin aplikacione, që presupozohet që janë të sigurta dhe që nuk përgjohen. Më herët kishim “Sky ECC” dhe “EncroChat”, por ato nuk funksionojnë më.
Po ashtu politikanët nuk preferojnë biseda në rrjetet e përdorur gjerësisht në popullatë, por shumica përdorin “Signal”, dhe disa të tjerë “Telegram”. Kjo është paraljmëruar disa herë dhe nga gazetari Artan Hoxha, por me rastin e Bardhit u dëshmua qartë se ministra, deputetë, kryetarë bashkie dhe njerëz të administratës e përdorin këtë aplikacion.
“Sot politikanët tanë çfarë përdorin? Të thonë ke “Signal”? “Whatsapp” përgjohet. Nëse komunikon me të dhëna që nuk duan që të përgjohen të thonë. Ke “Telegram”? Ke “Signal”? Dumani thotë se për një nga ngjarjet kam komunikuar në “Matrix”. Sa më shumë sofistikohet bota e krimit, aq më shumë sofistikohet gjurmimi. Nëse doni të mos përgjoheni mos mbani teknologji”, ka deklaruar së fundmi gazetari Hoxha.
Në fakt, nga ky status i gazetarit Artan Hoxha mund të ngremë një pyetje shumë llogjike: Përse politikanët apo njerëz me pushtet zgjedhin pikërisht aplikacionet që nuk mund të gjurmohen? Nëse ata shikojnë trendin në rritje të kërcënimeve në “Signal” atëherë fare mirë mund të mos e përdorin këtë aplikacion. Njëra nga përgjigjet më të thjeshta do të ishte: ndoshta kjo “nuk i leverdis”