Në bursat ndërkombëtare si “Brent” aktualisht çmimi i naftës për fuçi është 71.92 euro ndërsa në bursën “West Texas Intermediate” është 68.62 euro. Por, pavarësisht zhvillimeve në tregjet ndërkombëtarë, ku euro ka kapur pikën më të ulët historike sipas Bankës Kombëtare Shqiptare me vetëm 98.6 e me dollarin 88.2 konsumatorët shqiptarë duket se janë imunë ndaj uljeve të tregut ndërkombëtar, por çuditërisht në rritje reflektohet menjëherë.
Sipas një renditje të Global Petrol Price ne jemi vendi i 12 në botë për çmimin më të lartë të naftës me 1.987 lekë për litër. Me këtë çmim ne jemi pas vendeve të zhvilluara e me një ekonomi të lartë si: Zvicra, Hollonda, Danimarka, Finlanda. Hong Kong etj. Shqipëria ka çmimin më të shtrenjtë edhe në rajon, ku çmimin më të ulët e ka Maqedonia e Veriut me 1.354 dollarë për litër, më pas vjen Mali i Zi me 1.556 dollarë, e në fund Serbia me 148.8 dollarë.
Pavarësisht se Shqipëria është një ndër vendet më të varfra të rajonit dhe Europës, thënë ndryshe me pagën më të ulët mesatare dhe minimale dhe të ardhurat më të ulëta të disponueshme për frymë, vendi ynë konkurron për çmimin e naftës me vendet më të zhvilluara të botës.
Ndërkohë ulja e naftës në tregjet ndërkombëtare dhe mos ulja e çmimeve në tregun tonë ka ngritur pyetje në lidhje me arsyet pse uljet e kostove globale nuk po reflektohen në çmimet e tregut të brendshëm. Por ekspertët e ekonomisë rendisin disa arsye që shpjegojnë pse çmimet e karburanteve janë në nivele të tilla, kaq të larta në Shqipëri. Mungesa e kontrollit të tregut nga institucionet shtetërore është faktori kryesor sipas tyre, që kushtëzon një situatë të tillë kaq diskriminuese për qytetarët. Ata shpjegojnë se kompanitë abuzojnë me çmimin dhe askush nuk i kontrollon.
Kjo është edhe arsyeja, pse në vite në Shqipëri ka ndodhur një dukuri, që tashmë duket se nuk shqetëson askënd. Ndërsa në tregjet financiare ndërkombëtare çmimi i naftës është ulur, në Shqipëri kjo nuk është reflektuar fare ose është reflektuar në mënyrë thuajse të pandjeshme. E kundërta ka ndodhur, kur çmimi i arit të zi është rritur në bursa. Shtrenjtimi në Shqipëri ka qenë i menjëhershëm, brenda pak ditësh, edhe pse ligji, detyron kompanitë importuese të karburanteve që të krijojnë një rezervë në depozita prej 3 muajsh, e mjaftueshme për të amortizuar luhatjet e mundshme të çmimit.
E ndërsa ky fenomen ka kapluar vendin tonë, çuditërisht Autoriteti i Konkurrencës i cili pretendohet se vepron për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg në zbatim të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” hesht përballë kësaj situate që ju shkakton një dëm goxha të konsiderueshëm xhepave të konsumatorëve