Një shpërthim i tmerrshëm si pasojë e një rrjedhje gazi shkatërroi një ndërtese dy-katëshe në Via Tappia në Saviano në Itali mëngjesin e sotëm. Shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë e një të moshuari në katin e dytë të banesës. Në katin e parë të saj jetonte një familje me pesë anëtarë, babai, nëna dhe tre fëmijët e vegjël.
Fatkeqësisht si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën një vajzë 4-vjeçare dhe vëllai i saj 6-vjeçar. Babai i tyre është transportuar në gjendje të rëndë për jetën në spitalin Cardarelli bashkë me djalin e vogël 2-vjeçar i cili u nxorr i gjallë nga rrënojat. Nga ana tjetër karabinierët, policia dhe zjarrfikësit janë duke kërkuar nënën dhe gjyshen e fëmijëve. Karabinierët, policia dhe zjarrfikësit tani po gërmojnë nëpër rrënoja me duar të zhveshura.
“Dëgjova shpërthimin dhe dola në rrugë. Çfarë tragjedie, e njoh këtë familje, babai u shpëtua sepse po bëhej gati të shkonte në punë”, thotë një fqinj që është gjendur pranë familjes pasi ndodhi shpërthimi.
Në vendngjarje ndodhej edhe prefekti Michele Di Bari me nënkolonelin e karabinierëve Paolo Leoncin. Karabinierët kanë ndërhyrë të parët pasi në zonë ndodhej për fat dhe një patrullë.