Gjermania pritet të forcojë kontrollet e saj kufitare për të nisur një fazë të re ‘pengesash’ për emigrantët e shumtë që po i drejtohen vendit, mes të cilëve edhe shqiptarët. Sipas asaj që raportojnë mediat, ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser i është drejtuar me një letër Brukselit, duke pohuar se Berlini nuk ka zgjidhje tjetër veçse të forcojë kontrollet kufitare. Sipas Faeser, burimet shtetërore dhe federale janë “thuajse të shteruara” për refugjatët dhe azilkërkuesit. Në fillim të kësaj jave, qeveria e kancelarit Olaf Scholz njoftoi se Gjermania do të fillonte përsëri kontrollin e pasaportave përgjatë kufirit tokësor për të paktën gjashtë muaj, pa marrë parasysh marrëveshjen e Shengenit. “Asnjë vend në botë nuk mund të pranojë një numër të pakufizuar refugjatësh,” tha Faeser në një letër drejtuar Komisionit Evropian, të cilën Der Spiegel e mori të mërkurën.
Gjermania “po arrin gjithnjë e më shumë kufijtë e asaj që është e përballueshme për sa i përket pritjes, akomodimit dhe kujdesit”, thuhet në letër, duke vënë në dukje se burimet federale dhe shtetërore janë “pothuajse shteruar” dhe ekziston një rrezik real i “mbingarkimit të mirëqenies së përbashkët”. ”
Sipas letrës, vëllimi i “hyrjeve të parregullta” në vend është i papranueshëm dhe “shqetësues”, duke arritur në 50,000 njerëz në shtatë muajt e parë të 2024.
Faeser argumentoi gjithashtu se “kërcënimet për sigurinë dhe rendin publik” kërkojnë rivendosjen e kontrolleve kufitare, duke treguar “incidentet e krimit me thikë dhe të dhunshëm nga refugjatët”. Raste të ngjashme kanë qenë të përsëritura javët e fundit në Gjermani, ku më i fundit është ai i disa ditëve më parë, ku një burrë me shtetësi shqiptare, kërcënoi oficerët e një stacioni policor në perëndim të Gjermanisë. 29-vjeçari, i armatosur me hanxhar dhe thikë, i kërcënoi me vrasje oficerët dhe bërtiti në gjuhën arabe “Allahu Akbar” (Zoti është më i madhi), thanë hetuesit gjermanë. Incidenti në Linz ndodhi një ditë pasi një burrë u qëllua me armë për vdekje nga policia në Munih. Ai dyshohej për tentim për të kryer sulm terrorist. Rastet në fjalë, duket se kanë nxitur qeverinë gjermane të rrisin masat shtrënguese për pranimin e emigrantëve, masa të cilat pritet të prekin edhe shqiptarët, të cilët janë të shumtë që emigrojnë drejt Gjermanisë