Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Kurjan të Rroskovecit, ku humbën jetën nga breshëria e plumbave dy vëllezërit Lavdimir dhe Gramoz Kurtaj, autori Altin Kukaj ka dhënë edhe versionin e tij të ngjarjes. Ai ka pohuar para grupit hetimor se gjithçka nisi pas zënkës që pati djali i tij 21-vjeçar, me djalin e Gramozit një natë përpara ngjarjes së rëndë. Megjithatë gjatë marrjes në pyetje ai ka sqaruar për hetuesit se është penduar për vrasjen dhe se gjithçka ndodhi në një moment gjaknxehtësie.
Burime nga grupi hetimor pohuan se, të martën paradite ka patur debat edhe me punëtorin e pularisë së autorit, pasi viktimat kanë tentuar t’i ndalojnë makinën në rrugë që të mos kalonte. Viktimat i kishin shkuar edhe tek shtëpia autorit për t’u sqaruar, por ky i fundit nuk ndodhej në banesë në ato momente.
Mes këtyre debateve, rreth orës 14:00, autori ka shkuar në një lokal të zonës për t’i takuar dy vëllezërit dhe për tu sqaruar. Atje Altin Kukaj ka debatuar fillimisht me Lavdimir Kurtaj, i cili ndodhej i vetëm, pasi i vëllai, Gramozi kishte shkuar tek dyqani mishit. Më pas autori ka shkuar tek Gramozi, ndërsa Lavdimiri e ka ndjekur nga pas. Në debat e sipër me ofendime, Altini ka nxjer armën tip automatik nga makina dhe ka qëlluar në drejtim të dy vëllezërve duke i lënë të plagosur, por duke menduar se i vrau. Më pas 49-vjeçari është larguar drejt banesës së tij. Mësohet se ai i ka thënë bashkëshortes së tij se i vrau të dy dhe se do të dorëzohej në polici.
Banorë dhe familjarë të viktimave kanë pohuar se viktimat e autori ishin shokë dhe qëndronin shpesh bashkë. Sipas tyre, gjithcka shkoi drejt këtij akti të rëndë, për shkak të zënkës së djemve, të Altinit me ate të Gramozit.
Ndërkohë rreth orës 15 të kësaj të mërkure, kryhet edhe ceremonia mortore e dy vëllezërve të mbetur viktima të ngjarjes së të martës. Kujtojmë gjithashtu se Policia e Fierit, përvec autorit, ka arrestuar edhe dy djemtë e tij, Ervis Kukaj dhe Emaurisio Kukaj, si bashkëpunëtor në këtë ngarje të rëndë. Gjithashtu është arrestuar edhe Tomor Zyka, i akuzuar për “Përkrahje e autorit të krimit”. Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë operacionit për kapjen e djalit të autorit, është gjetur në një banesë të familjes Kukaj edhe një armë tip pistolete, të cilën dyshohet se e ka pasur me vete djali i Altin Kukaj gjatë përballjes me dy vëllezërit Kurtaj.