Ish-kryeministri Sali Berisha do të paraqitet ditën e sotme, 11 shtator, në orën 12:00 në SPAK ku do t’i komunikohet zyrtarisht akuza. Po ashtu, do të paraqitet në SPAK dhe dhëndri i tij, Jamambër Malltezi, ku edhe ai do të njihet me akuzën lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Mësohet se Malltezi do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme në orën 14:00. SPAK ka pasur afat ligjor deri në 2 tetor për të përfunduar hetimet, por prokurorët i kanë mbyllur hetimet para afatit ligjor.
Ndaj Malltezit Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzat për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” në Tiranë. Deri më tani, Berisha është në arrest shtëpie prej dhjetori 2023, i cili është hetuar për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksi sportit “Partizani” për akuzën “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili përfitoi duke ndërtuar kulla mbi truall, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndodhet gjithashtu në arrest shtëpiak.
Sipas vendimit, Berisha nuk duhet të largohet nga banesa dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën shtëpi me të.