Ka kaluar 1 vit nga rasti tragjik i Brian Spahiut, 3 vjeçari i cili humbi jetën pas ndërhyrjes kirurgjikale që iu nënshtruar në një klinikë private dentare të mjekut Roland Xhaxho. Italia kërkon të dhëna shtesë nga Prokuroria e Tiranës për të përfunduar aktekspertizën dhe përcaktuar shkakun e vdekjes së tij.
Prokurorja e çështjes kërkoi që ekspertiza të kryhej nga ekspertë të huaj, për shkak se sipas institucionit të akuzës, akti i parë i ekspertizës i kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ishte i paplotë dhe për rrjedhojë konkluzioni i pasaktë. Prokuroria shkoi edhe më tej, teksa theksoi se mungonin ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha cështjet e ngritura, si dhe ngrinte dyshime për konflikt interesi, përderisa nën hetim janë mjekë, që mund të ushtrojnë ndikim.
Për këto arsye, prokuroria vendosi t’i drejtohej me letërporosi Italisë, por ekspertët atje kanë kërkuar informacion shtesë për rastin, pasi argumentojnë se duke patur të gjithë të dhënat, do të mund të dalin në konkluzion të saktë. Burime pranë prokurorisë thanë për VNA se iu kanë vënë në dispozicion të dhënat e kërkuara përmes e-mailit dhe presin konkluzionet e aktit.
Më herët, ekspertët e IML-së përcaktuan se Spahiu humbi jetën nga mbidoza e narkozës. “Shkaku i vdekjes ka qenë dhënia e lëndës anestetike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thellë me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme”, theksohej në aktekspertizë.
Rastet problematike me klinikat dentare në Shqipëri janë të shumta. (lexo këtu)
Turizmi Dentar po lulëzon prej disa vitesh në vendin tonë, ku shumë të huaj, por edhe emigrantë, vijnë në Shqipëri për të kryer shërbimet dentare, duke shfrytëzuar çmimet e favorshme dhe fasilitetet si hoteli apo transporti.
Me rritjen kaq të vrrullshme të turizmit dentar, po evidentohen edhe problematikat. Klinika dentare që abuzojnë me cilësinë e produkteve dhe shërbmeve që ofrojnë.
Turizmi dentar, i cili vërtetë po jep përfitime ekonomike, por po merr në qafë njerëzit, të cilët përballen me dhimbje dhe infeksione, por që askush nuk mban përgjegjësi.