Policia e Shtetit zyrtarisht ka vënë në pranga dy infermieret Nazmie Mulla 31 vjeç dhe Glesantina Saraçi, 26-vjeç. Ata u ndaluan pas ngjarjes tronditëse që ndodhi mëngjesin e të enjtes në azilin privat në Ali Demi ku u vra Virxhil Vesho nga Zyhdi Shehi.
Dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë konsumuar veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Dinamika e ngjarjes
Dy infermieret kanë parë te vdekur Virxhil Veshon. Të trembura ata kanë nisur pastrimin e ambientit ku ka ndodhur vrasja. Dhe e kanë mbështjellë viktimën me një çarçaf. Më pas kanë marrë një agjenci funerale në telefon të cilët kanë bërë tërheqjen e trupit.
Infermieret u kanë thënë se vdekja e tij ka qenë aksidentale dhe është rrëzuar. Kur kanë nisur procedurat e larjes së trupi agjencia funerale ka kuptuar se viktima është vrarë për shkak të plagëve të mëdha që kishte në fytyrë në kokë dhe në trup.
Në këtë moment trupi iu është kthyer sërish në azil dhe është njoftuar policia ku më pas u zbulua se ishte Zyhdi Shehi ai që ka vrarë Virxhilin.
Zbardhet dëshmia e infermiereve
Dy infermierët pretendojnë se nuk kanë patur si qëllim të fshehin ngjarjen e rëndë.
“Nuk e menduam se kishim te bënim me vrasje. Nuk e menduam që duhet te lajmërohet policia. Menduam që është rrëzuar dhe ka ndërruar jetë. Edhe për shkak të moshës së thyer nga rrëzimi aksidental menduam që i ka ardhur vdekja. Kemi marrë në mëngjes agjencinë funerale në telefon dhe i kemi thënë për të marrë trupin. Më pas ata u rikthyen dhe na treguan se ka dëmtime shumë të mëdha. Agjencia ka lajmëruar pronarin e Azilit. Pronari më pas lajmëroi policinë. Nuk ishte qëllimi ynë që të fshihnim ngjarjen”, thanë ato.