Një manual gati të pabesueshëm e cilëson ‘La Reppublica’ atë që u është dorëzuar gjatë kursit të trajnimit, burrave dhe grave që do të dërgohen për të menaxhuar burgun 20-vendësh për emigrantët në Gjadër: Nga mënyra se si të vishen deri te si të pinë kafe.
Manuali nis me parantezën: ‘Populli shqiptar është shumë miqësor, por duhet të keni parasysh disa rregulla të nevojshme’.
Si fillim, “shmangni flirtimin me gratë shqiptare. Një burrë që sheh gruan e tij që joshet nga një burrë tjetër, mund të reagojë keq”. Dhe meqë jemi këtu, duke qenë se janë “një popull modest, lakuriqësia apo veshja e papërshtatshme në publik nuk është e mirëseardhur”, thuhet mes të tjerash.
Një tjetër nënvizon “Shqipëria është një vend shumë i sigurt, nuk ka mikrokrim (as vjedhje, as grabitje, as ngacmime seksuale). Prandaj mos kini qëndrime mosbesimi”. Ndërkohë që e vërteta është se Shqipëria “shquhet” për mikrokrime dhe krime të mëdha. Vetëm dy ditët e fundit janë shënuar dy krime të rënda në familje, ku dy gra janë vrarë padrejtësisht dhe për motive banale nga bashkëshortët e tyre. Më konkretisht rastet janë shënuar në Vlorë dhe Sarandë dhe këto udhëzime “surreale” bien ndesh me atë se çfarë ndodh në të vërtet në vendin tonë.
KËSHILLAT DHE RREGULLAT:
Popullsia shqiptare është shumë mikpritëse, por duhet të merren parasysh disa masa paraprake të dobishme:
– Shqiptarëve nuk u pëlqen të nënvlerësohen në kuptimin që mos iu paraqisni kurrë me një qasje superiore.
– Ata janë një popull modest, ndaj lakuriqësia apo veshja jo e duhur në publik nuk është e mirëseardhur.
– Shmangni shoqërimin e grave shqiptare në kontekste të ndryshme dhe në mënyrë kategorike. Është një shoqëri më konservatore, sidomos në veri të vendit. Burri që e di ose e sheh gruan e tij duke dalë me një burrë tjetër, mund të reagojë keq.
– Shqipëria është një vend shumë i sigurt, nuk ka mikrokrim (as vjedhje, as grabitje, as ngacmime seksuale). Prandaj mos kini qëndrime mosbesimi.
– Në Shqipëri nuk ka fanatizëm fetar. Pavarësisht se është një vend me shumicën e besimeve myslimane, ekziston një bashkëjetesë paqësore e njerëzve të ndryshëm.
Testi i parë nga Inxhinierët Ushtarakë, për të hapur vetëm një pjesë të qendrës së pritjes së emigrantëve në Gjadër, është caktuar në 20 gusht, i dyti që duhet të japë dakordësinë për dorëzimin përfundimtar në Ministrinë e Brendshme është për 1 shtator. Dhe nisja e kontingjentit të parë prej 500 personash, përfshirë policinë, karabinierët dhe policinë financiare, të cilët do të duhet të sigurojnë funksionimin e protokollit të Shqipërisë, është planifikuar gjithashtu për 20 gusht.
Dy qendrat e emigrantëve të drejtuar nga italianët janë ndërtuar në Shëngjin dhe në Gjadër, rreth 45 milje në veri të kryeqytetit shqiptar, Tiranës. I pari në portin e Shëngjinit përmban katër ndërtesa të mëdha dykatëshe me një sipërfaqe prej 6000 metrash katrorë. Plani do zbatohet për njerëzit nga vendet e konsideruara “të sigurta” nga qeveria italiane si Tunizia, Egjipti, Algjeria, Nigeria, Maroku dhe Bangladeshi. Në Shqipëri, do të strehohen rreth 3 mijë emigrantë, të cilëve në rast se iu refuzohet kërkesa për azil nga Italia, do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.